Skrapar – Vijon megaoperacioni “Territor i pastër”, asgjësohen 342 bimë cannabisi

Skrapar/Kontrolle intensive dhe hetime proaktive, në kuadër të planit operacional kombëtar anticannabis, të koduar “Territor i pastër”.

Finalizohet operacioni policor i koduar “Zoom in”. Asgjësohen 342 bimë cannabisi. Sekuestrohen fara dhe sasi të kësaj lënde, si dhe fishekë luftarak.

Identifikohet, kapet dhe vihet në pranga 31-vjeçari që kishte kultivuar këto bimë dhe njëkohësisht kishte hapur 100 gropa në zonë, për të kultivuar bimë të tjera.

Procedohet penalisht vëllai i 31-vjeçarit, për bashkëposedim të sendeve të tjera të kundërligjshme.

Si rezultat i kontrolleve dhe i një hetimi me metoda proaktive, kryer nga Komisariati i Policisë Skrapar, në bashkëpunimin me Drejtorinë Vendore të Policisë Berat dhe me Prokurorinë e Beratit, në vijim të punës për goditjen e rasteve të kultivimit të bimëve narkotike, u finalizua operacioni policor anticannabis, i koduar “Zoom in”.

Gjatë operacionit u arrestua në flagrancë shtetasi L. Q., 31 vjeç dhe u procedua në gjendje të lirë vëllai i tij, shtetasi T. Q., 44 vjeç, të dy banues në fshatin Krastë.

Nga hetimet rezultoi se 31-vjeçari është autor i kultivimit të 342 bimëve narkotike, në fshatin Krastë, si dhe se kishte hapur 100 gropa në zonë, me qëllim kultivimin e bimëve të tjera. Në pamjet e siguruara gjatë periudhës hetimore, ky shtetas shfaqet duke u kujdesur vazhdimisht për bimët narkotike.

Në vijim, nga kontrollet në banesën e shtetasve L. Q. dhe T. Q., Policia gjeti fara cannabisi, sasi të kësaj lënde narkotike dhe 66 fishekë luftarak.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.