Skrapar – Vihet në pranga 57-vjeçari që qëlloi me armë

Sekuestrohet arma e zjarrit kallashnikov dhe një sasi municioni luftarak.

Rreth orës 01:00 të datës 29.04.2020, forcat speciale “Renea” kanë vënë në pranga shtetasin H. H., 57 vjeç, banues në lagjen ”5 Shtatori”, Skrapar.

Ky shtetas, në orët e mbrëmjes së djeshme, në katin e parë të një pallati, ka qëlluar në ajër me armë zjarri dhe më pas kur ka parë shërbimet e Policisë ka qëlluar edhe në drejtim të tyre. Më vonë, ky shtetas u fut në banesë dhe nuk iu përgjigj thirrjeve të Policisë për t’u dorëzuar.

Shërbimet e Policisë morën masa sigurie dhe rrethuan pallatin. Në ndihmë të Policisë vendore shkuan shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Berat dhe më pas forcat speciale “Renea”.

Pas ndërhyrjes së forcave speciale “Renea” u bë e mundur vënia në pranga e 57-vjeçarit dhe u sekuestrua edhe arma kallashnikov, bashkë me një sasi municioni.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.