Shqipëria dhe Rumania bien dakord të forcojnë luftën kundër krimit të organizuar dhe migracionit të paligjshëm

Shqipëria dhe Rumaniabien dakord të forcojnë luftën kundër krimit të organizuar dhe migracionit të paligjshëm

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Muhamet Rrumbullaku, u prit në një takim zyrtar në Bukuresht nga Inspektori i Përgjithshëm i Policisë së Rumanisë, Benone-Marian Matei, për të diskutuar marrëdhëniet mes dy policive dhe mundësitë e thellimit të bashkëpunimit.

Në takim mori pjesë edhe ambasadorja e Shqipërisë në Rumani, znj. Enkeleda Baduni Mërkuri.

Drejtuesit e të dy policive e vlerësuan si shumë të mirë nivelin e bashkëpunimit, ndërsa ranë dakord të forcojnë shkëmbimin e informacionit në fushën e sigurisë e zbatimit të ligjit dhe veprimet e përbashkëta për të goditur krimin e organizuar dhe migracionin e paligjshëm.

“Intensifikimi i aksioneve të përbashkëta për të luftuar grupet e krimit të organizuar, përmes krijimit të skuadrave të përbashkëta hetimore dhe operacionale, strategjive të përbashkëta, takimeve periodike, shkëmbimit të informacionit përmes kanaleve të sigurta të komunikimit, kjo edhe në kohë reale, si dhe organizimi i operacioneve të përbashkëta, janë fusha ku Policia Shqiptare dhe ajo Rumune mund të bashkëpunojnë”, tha Drejtues Madhor Muhamet Rrumbullaku.

Drejtuesi i Policisë së Shtetit Shqiptar theksoi si fusha me interes për të bashkëpunuar me Policinë Rumune, zhvillimin e trajnimeve që lidhen me luftën kundër ekstremizmit dhe radikalizmit të dhunshëm, si dhe shkëmbimin e përvojës për aktivitetet sensibilizuese për strukturat e policimit në komunitet, në kuadër të programeve për parandalimin e përdoruesve të drogës, sidomos pranë ambienteve shkollore dhe tek të rinjtë.

Inspektori i Përgjithshëm i Policisë Rumune falenderoi Policinë Shqiptare për bashkëpunimin dhe vlerësoi profesionalizmin e lartë të treguar në trajtimin e një sërë çështjesh me partnerët ndërkombëtarë.

Gjithashtu, drejtuesit e të dy policive ranë dakord të punojnë për hartimin e një Protokolli Teknik për bashkëpunimin mbi një listë prioritetesh. Grupet e ekspertëve do të angazhohen për të hartuar planet e veprimit dhe ndihmuar në realizimin konkret të tyre në fushat si, lufta ndaj krimit të organizuar dhe pastrimit të parave, identifikimi dhe bllokimi i aseteve kriminale, si dhe goditja ndaj migracionit të paligjshëm dhe grupeve që ndihmojnë e financojnë trafikun e qenieve njerëzore.