Shkodër – Vijon megaoperacioni policor i koduar “Tempulli”, vihen në pranga 3 shtetas

Shkodër/Vijon megaoperacioni policor i koduar “Tempulli”, për goditjen e veprimtarisë kriminale të shitjes së lëndëve narkotike.

Shitnin doza kokaine në zona të ndryshme të qytetit të Shkodrës, vihen në pranga 3 shtetas, të cilët u kapën në flagrancë me doza kokaine në automjet.

Sekuestrohen doza të lëndës narkotike kokainë dhe automjeti që përdornim këta shtetas, për këtë veprimtari kriminale.

Vijon puna për kapjen e një shtetasi që dyshohet se bashkëpunonte me 3 të arrestuarit, për të shitur dozat e kokainës.

Në kuadër të megaoperacionit policor mbarëkombëtar antidrogë, të koduar “Tempulli”, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër kanë vijuar punën në terren, të mbështetur nga inteligjenca policore, për goditjen e rasteve të prodhimit dhe të shitjes së lëndëve narkotike, në ambiente të ndryshme.

Bazuar në informacionet e marra në rrugë operative se disa shtetas shpërndanin lëndë narkotike, në qytetin e Shkodrës, shërbimet e Policisë kanë lokalizuar dhe ndaluar automjetin e dyshuar tip “Renault” në të cilin ishin 3 shtetas. Gjatë kontrollit fizik ndaj tyre dhe kontrollit në automjet, shërbimet e Policisë kanë gjetur doza të lëndës së dyshuar narkotike kokainë, të gatshme për shitje, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Në përfundim të veprimeve procedurale u arrestuan në flagrancë poseduesit e dozave të kokainës, shtetasit:

Sh. E., 21 vjeç, S. Q., 20 vjeç dhe K. S., 17 vjeç, të tre banues në Shkodër.

Nga veprimet hetimore dyshohet se këta shtetas shitnin doza lënde narkotike kokainë, në qytetin e Shkodrës, bashkë me shtetasin Xh. C., 21 vjeç, banues në Shkodër, i cili është shpallur në kërkim. Vijon puna për kapjen e tij.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim.