Shkodër / Finalizohet si rezultat i një hetimi intensiv disamujor, operacioni policor i koduar “Tablets”.
Magazinoi 710 kuti me medikamente mjekësore, të kontrabanduara nga Mali i Zi, me qëllim tregtimin e tyre në farmaci të ndryshme, arrestohet në flagrancë 60-vjeçari (farmacist).
Të arrestuarit iu gjet në magazinë edhe një armë gjahu e municion luftarak.
Procedohet penalisht një 58-vjeçare, administratore e njërës prej farmacive ku shtetasi i arrestuar tregtonte medikamente mjekësore të kontrabanduara.
Procedohen penalisht edhe 4 shtetas të tjerë, doganierë në PKK Hani i Hotit, për të cilët dyshohet se kanë konsumuar elementë të veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”.
Sekuestrohen 710 kuti me medikamente mjekësore, të kontrabanduara, një armë gjahu e municion luftarak.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare të DVP Shkodër, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e kontrabandës së mallrave, me fokus të veçantë, goditjen e kontrabandës së medikamenteve mjekësore, për shkak të rëndësisë për shëndetin dhe jeten e qytetarëve, si dhe në kuadër të një hetimi intensiv disamujor, në bashkëpunim me Prokurorinë e Shkodrës, kanë finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Tablets”.
Si rezultat i këtij operacioni u arrestua ne flagrancë shtetasi J. Z., 60 vjeç (farmacist), banues në fshatin Gril, Malësi e Madhe, për veprat penale “Kontrabanda me mallra të licencuara”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Fshehja e te ardhurave”, si dhe u procedua në gjendje të lirë shtetasja V. J., 58 vjeçe, banuese ne lagjen Partizani, Shkodër, për veprën penale “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë”.
Nga veprimet e hetimore, rezultoi se shtetasi J. Z. kishte kontrabanduar medikamente mjekësore nga Mali i Zi, me qëllim tregtimin e tyre në farmaci të ndryshme. Ky shtetas u kap me sasi medikamentesh mjekësore të kontrabanduara, teksa lëvizte me automjet, dhe në vijim të veprimeve në kuadër të operacionit “Tablets”, u ushtrua kontroll edhe në një ambient (magazinë), ku 60-vjeçari mbante sasi të tjera të medikamenteve të ndryshme mjekësore të kontrabanduara, një armë gjahu dhe municion luftarak. Në total, shtetasit të arrestuar iu sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 710 kuti me medikamente mjekësore, si dhe arma e gjahut e municioni luftarak.
Gjithashtu, u procedua ne gjendje te lirë shtetasja V. J., pasi rezultoi se administronte njërën prej farmacive ku shtetasi i arrestuar tregtonte medikamentet mjekësore të kontrabanduara.
Në vijim të veprimeve për këtë rast, vijojnë hetimet edhe për shtetasit A. G., A. H., I. M. dhe D. S., doganierë në PKK Hani i Hotit, pasi dyshohet se kanë konsumuar elementë të veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”.
Vijojnë veprimet hetimore, në bashkëpunim me Prokurorinë e Shkodrës, për zbardhjen e plotë të kësaj veprimtarie kriminale, si dhe për përcaktimin e përgjegjësisë penale të secilit prej shtetasve që janë aktualisht në hetim.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme.