Shkodër – “Edukimi për Sigurinë Rrugore që në bankat e shkollës, zgjedhja e duhur”

Gjatë vitit 2020, një ndër prioritetet kryesore për Policinë Rrugore do të jetë bashkëpunimi me shkollat 9-vjeçare dhe të mesme të Qarkut Shkodër, me qëllim edukimin e nxënësve, të cilët do të jenë edhe drejtuesit e rinj të mjeteve, me rregullat e qarkullimit rrugor.

Për këtë qëllim u zhvillua një orë mësimore në shkollën e mesme “Oso Kuka”, ku u shpjeguan disa rregulla që duhet të zbatohen nga çdo drejtues mjeti dhe përdorues rruge, për parandalimin e aksidenteve rrugore.

Vendosja e rripit të sigurimit që në momentin që hipën në mjet, mospërdorimi i celularit gjatë drejtimit të mjetit, respektimi i shpejtësisë sipas sinjalistikës, ndalimi kategorik i konsumimit të alkoolit gjatë drejtimit të mjetit, vendosja e kaskës mbrojtëse dhe respektimi i semaforit dhe vijave të bardha, ishin disa nga rregullat për të cilat nxënësit bashkëbiseduan me punonjësit e Policisë.

Siguria Rrugore është përgjegjësi e çdo personi, prandaj secili prej nesh duhet të manifestojë zbatimin e rregullave të qarkullimit në rrugë, për të krijuar një ambient të sigurt për të gjithë.

Respektimi dhe zbatimi i kërkesave të Kodit Rrugor nga të gjithë, sfida jonë e përbashkët.