Finalizohet operacioni policor i koduar “Makineta”, për goditjen e veprimtarisë së organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit.
Operacioni, i zhvilluar nga Forca e Posaçme Operacionale e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Shijak.
Përshtati lokalin në pronësi të tij, për organizimin e lotarive të palejuara, me kompjutera, arrestohet në flagrancë 37-vjeçari.
Sekuestrohen në cilësinë e provës materiale, 6 kompjutera, si dhe një shumë e konsiderueshme parash, e dyshuar e përfituar nga kjo veprimtari e kundërligjshme.
Specialistët e Forcës së Posaçme Operacionale të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Shijak, në vijim të kontrolleve në lokale dhe ambiente të tjera, ku mund të organizohen lojëra fati të palejuara, si dhe bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative se në një lokal në Shijak, një shtetas organizonte lojëra fati në kundërshtim me ligjin, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Makineta”, si rezultat i të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit:
-H. Sh., 37 vjeç, banues në Shijak, për veprat penale “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin ” dhe “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara”.
Ky shtetas u kap nga shërbimet e Policisë në lokalin në pronësi të tij, duke organizuar lotari të palejuara, me kompjutera, të cilët u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, së bashku me shumat prej 522.500 lekësh të rinj dhe 3100 eurosh, të dyshuara të përfituara nga kjo veprimtari e kundërligjshme.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.