Shijak, Durrës/Finalizohet operacioni policor i koduar “Zona”, në vijim të operacioneve kundër shitjes së lëndëve narkotike, në doza.
Shiste doza kokaine, në lagje të ndryshme të Shijakut, kapet në flagrancë dhe arrestohet 27-vjeçari.
Sekuestrohen një sasi lënde narkotike kokainë, e ndarë në disa doza të gatshme për shitje, një peshore elektronike, automjeti me të cilin lëvizte i arrestuari, dhe një celular.
Në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme të Policisë së Durrësit, në të gjithë territorin e qarkut, me qëllim parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të shitjes së lëndëve narkotike, në doza, është finalizuar operacioni policor i koduar “Zona”.
Falë informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, specialistët e Forcës së Posaçme “Shqiponja” arrestuan në flagrancë shtetasin D. Sh., 27 vjeç, banues në Gjepalaj, Shijak.
Gjatë kontrollit fizik dhe në automjetin me të cilin lëvizte shtetasi D. Sh., u gjetën një sasi lënde e dyshuar narkotike kokainë, e ndarë në doza të gatshme për shitje dhe një peshore elektronike, të cilat u sekuestruan së bashku me automjetin dhe me një celular.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.