SHEH NJË SHKELJE, DENONCOJE ATË!

Bashkëpunimi Polici-Komunitet, garanton më shumë siguri.

Policia Rrugore në të gjithë vendin, vijon bashkëpunimin me komunitetin, duke reaguar në kohë dhe me përgjegjësi ndaj ankesave dhe shkeljeve të adresuara nga qytetarët çdo ditë, me qëllim disiplinimin, por edhe ndërgjegjësimin e përdoruesve të rrugës, me zbatimin e rregullave të qarkullimit rrugor si e vetmja mënyrë për të parandaluar ngjarjet rrugore dhe konfuzionin në trafik.

Vetëm gjatë ditëve të fundit, në adresë të Komisariatit Dixhital, në numrin e emergjencave 112 dhe në adresa të tjera zyrtare të Policisë së Shtetit janë administruar 1 149 ankesa për shkelje të ndryshme të rregullave të qarkullimit rrugor, kryesisht parkime të gabuara, qarkullim në korsitë e shërbimit publik dhe për biçikleta, shkelje të semaforit, xhirime gomash e veprime të tjera të rrezikshme në qendrat e banuara, shkelje të cilat janë rrezik i shtuar jo vetëm për drejtuesit e mjeteve, por edhe për përdoruesit e tjerë të rrugës.

Si rezultat i reagimit dhe verifikimit në kohë të çdo ankese, Policia Rrugore në të gjithë vendin ka vendosur 1 346 masa administrative, 123 prej tyre me sanksion plotësues i janë përcjellë për shqyrtim të mëtejshëm Organeve Administrative Shtetërore, në territorin e të cilave janë konstatuar shkeljet respektive.

Policia Rrugore edhe njëherë falënderon qytetarët për besimin, bashkëpunimin dhe kontributin e tyre të vyer, në funksion të sigurisë rrugore dhe fton cilindo prej tyre, që nëse konstatojnë apo disponojnë informacione për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor apo veprime të tjera të paligjshme, t’i denoncojnë ato duke dërguar imazhe, video ose të dhëna në Komisariatin Dixhital dhe adresa të tjera zyrtare të Policisë së Shtetit ose të telefonojnë pa pagesë në numrin 112, duke ju garantuar anonimatin e plotë dhe reagim të shpejtë e të paanshëm.

#BashkëpunoMePolicinë
#PërSigurinëeTëGjithëve