Selenicë, Vlorë/Kontrolle të shtuara për konstatimin dhe goditjen e armëmbajtjes pa leje.
Gjenden dhe sekuestrohen një armë zjarri kallashnikov dhe municion luftarak.
Policia identifikon poseduesin e armës së zjarrit dhe vijon punën intensive për kapjen e tij.
Në bazë të informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, për posedimin e kundërligjshëm të një arme zjarri, në një banesë në fshatin Treblovë, shërbimet e Stacionit të Policisë Selenicë, në bashkëpunim me shërbimet operacionale të DVP Vlorë, kanë ndërhyrë në këtë banesë dhe kanë ushtruar kontrolle të imtësishme në të gjithë zonën.
Si rezultat, u bë e mundur gjetja dhe sekuestrimi i armës së zjarrit kallashnikov dhe i një sasie të konsiderueshme municioni luftarak.
Gjithashtu, Policia identifikoi dhe shpalli në kërkim poseduesin e kësaj arme, shtetasin P. B., 66 vjeç, banues në fshatin Treblovë. Vijon intensivisht puna për kapjen e tij.
Materialet proceduriale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.