Sarandë/Sekuestrohen në Ksamil, një objekt 5-katësh dhe një objekt 1-katësh, të ndërtuara pa leje

Sarandë

Sekuestrohen në Ksamil, një objekt 5-katësh dhe një objekt 1-katësh, të ndërtuara pa leje, për qëllime fitimi (shërbime hotelierie).

Ekzekutohet masa e sigurisë “Arrest në shtëpi”, për veprën penale “Ndërtimi i paligjshëm”, për pronarin e tyre.

Komisariati i Policisë Sarandë, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë dhe me Agjencinë e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara, kanë kryer procedurat për ekzekutimin e vendimeve të caktuara nga Gjykata e Sarandës, në vijim të hetimeve të kryera për një rast të ndërtimit pa leje, për qëllime fitimi, në Ksamil.

Në zbatim të vendimit të Gjykatës së Sarandës është ekzekutuar masa e sigurisë “Arrest në shtëpi”, caktuar nga kjo Gjykatë, për veprën penale “Ndërtimi i paligjshëm”, për shtetasin K. P..

Gjykata ka vendosur edhe sekuestrimin e një objekti 5-katësh dhe të një objekti 1-katësh, në lagjen nr. 2, rruga “Derolli”, Ksamil, të ndërtuara pa leje, për shërbime hotelierie.

Gjatë procedurave për ekzekutimin e vendimit të Gjykatës, u konstatua se hoteli ishte në funksion dhe ishin akomoduar pushues. Për këtë arsye, u morën masa paraprake dhe më datë 06.10.2026, do të kryhen të gjitha veprimet për ekzekutimin e plotë të vendimit të Gjykatës.