Finalizohet operacioni i koduar “Lingota”.
Operacioni i zhvilluar nga Policia Kufitare Rinas, pas një hetimi 2-mujor, për goditjen e veprimtarisë së paligjshme të kontrabandës me mallra të licencuar.
Arrestohet në flagrancë një 56-vjeçar.
Sekuestrohet një sasi prej 4 kg e 660 gr e dyshuar si flori, pa dokumentacionin përkatës.
Policia Kufitare e Rinasit, në kuadër të Planit Operacional për evidentimin, parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, pas një hetimi 2-mujor, finalizuan me sukses operacionin e koduar “Lingota” si rezultat i të cilit, u godit një tjetër rast i tentativës së kontrabandës me mallra për të cilat paguhet akcizë dhe u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit A. Ll., 56 vjeç, banues në Tiranë.
Në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë policore se një shtetas do të transportonte nga Shqipëria drejt Turqisë, një sasi floriri të dyshuar kontrabandë, shërbimet e Komisariatit Rinas kanë koordinuar veprimet dhe kanë përzgjedhur për kontroll të imtësishëm në vijën e dytë, shtetasin e dyshuar.
Gjatë kontrollit të ushtruar në çantën personale të shtetasit A.Ll, i cili do udhëtonte drejt Turqisë iu gjetën e sekuestruan në cilësinë e provës materiale tre lingota të dyshuara floriri, me peshë 4 kg e 660 gr, pa licencën përkatëse.
Materialet i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës të Shkallës së Parë Tiranë për veprën penale “Kontrabanda me mallra të licencuara”.