Rinas/Finalizohet nga Policia Kufitare, në bashkëpunim me Interpol Tiranën, operacioni policor i koduar “Gate”.
Shërbimet e Policisë Kufitare, krahas masave të shtuara për përballimin e fluksit, kanë intensifikuar kontrollet, bazuar dhe në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, si dhe në zbatim të masave të përcaktuara në planin operacional kombëtar “Sundimi i ligjit”.
Si rezultat i kontrolleve të shtuara dhe i verifikimeve të detajuara, shërbimet e Policisë Kufitare, në kuadër të operacionit policor të koduar “Gate”, kapën në Rinas dhe arrestuan me qëllim ekstradimin, një shtetas polak dhe një shtetas turk, të dy të shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Gjatë operacionit u arrestuan përkohësisht, me qëllim ekstradimin, shtetasit:
Robert Chojnacki, 52 vjeç, banues në Poloni. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Varshava, pasi Gjykata Lokale e Poznan, Poloni, e ka dënuar me 5 vjet burgim, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike” kryer në formën e grupit të strukturuar kriminal dhe “Pjesëmarrja në grup kriminal” parashikuar nga legjislacioni penal polak;
O. O., 53 vjeç, lindur në Turqi dhe banues në Gjermani. Arrestimi i tij u bë pasi Gjykata Lokale e Hildesheim, Gjermani, në vitin 2021, ka nxjerrë urdhër arresti për kryerjen e veprës penale “Mashtrimi”, parashikuar nga legjislacioni penal gjerman.
Interpol Tirana do të kryejë procedurat për ekstradimin e këtyre shtetasve drejt Polonisë dhe Gjermanisë.