Muriqan – Vihet në pranga një 23-vjeçar, pasi në dalje të RSh-së, gjatë kontrollit fizik, shërbimet e Policisë Kufitare i gjetën një sasi lënde të dyshuar narkotike kanabis

Muriqan/Kontrolle të shtuara nga Policia Kufitare, për parandalimin dhe goditjen e krimeve kufitare.

Vihet në pranga një 23-vjeçar, pasi në dalje të RSh-së, gjatë kontrollit fizik, shërbimet e Policisë Kufitare i gjetën një sasi lënde të dyshuar narkotike kanabis.

Sekuestrohen lënda e dyshuar narkotike dhe celulari i 23-vjeçarit.

Shërbimet e Policisë Kufitare të PKK Muriqan, në bashkëpunim me specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, në vijim të kontrolleve për parandalimin dhe goditjen e krimeve kufitare, kanë goditur një rast të tentativës për trafikim të lëndëve narkotike.

Në këtë PKK, në dalje, shërbimet e Policisë kanë ndaluar për kontroll një automjet tip “Seat” ku ishte pasagjer shtetasi A. P., të cilit gjatë kontrollit fizik iu gjet një sasi lënde e dyshuar narkotike kanabis.

Sasia e lëndës narkotike dhe celulari i këtij shtetasi u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Në përfundim të veprimeve procedurale, shtetasi A. P., 23 vjeç, banues në Tiranë, u arrestua në flagrancë, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.