Shërbimet e Policisë, në të gjithë vendin, vijojnë kontrollet në territor, monitorimin e qarkullimit rrugor dhe goditjet e njëpasnjëshme, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, me qëllim parandalimin dhe goditjen e paligjshmërive.
Si rezultat, janë finalizuar 2 operacione, për goditjen e kultivimit të bimëve narkotike dhe kapjen e shtetasve në kërkim ndërkombëtar.
Gjithashtu, janë kapur 6 shtetas të shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale.
Në fushën e narkotikëve, krahas operacioneve, janë goditur 14 raste, me 3 shtetas të arrestuar dhe 7 shtetas të proceduar në gjendje të lirë, ndërsa për 4 raste po punohet për identifikimin e autorëve. Janë sekuestruar doza të lëndëve të dyshuara narkotike kokainë dhe kanabis, si dhe janë asgjësuar bimë narkotike të kultivuara.
Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 20 raste, me 1 shtetas të arrestuar, 21 të proceduar në gjendje të lirë dhe 1 në kërkim.
U procedua në gjendje të lirë 1 shtetase, me probleme të shëndetit mendor, për veprën penale “Keqtrajtimi i të miturit”, pasi dyshohet se ka hedhur nga ballkoni fëmijën e saj 2-vjeçar, i cili po merr mjekim në spital dhe është jashtë rrezikut për jetën.
Po punohet për kapjen e një 40-vjeçari, i cili dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj ish-bashkëshortes së tij dhe dy vajzave të saj të mitura, në Vlorë.
U referuan materialet për vlerësim, pasi dje, një 26-vjeçar dyshohet se ka konsumuar mbidozë me ilaçe, në ambientet e një hoteli. Ai ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën.
Dje, dyshohet se është mbytur në liqenin e Bovillës, shtetasi B. B., 63 vjeç, i cili, sipas deklarimeve të familjarëve, vuante nga probleme të shëndetit mendor. Punohet për dokumentimin e shkakut të humbjes së jetës.
Në fushën e krimeve kundër pronës janë evidentuar 10 raste, me 4 shtetas të proceduar në gjendje të lirë dhe 2 në kërkim, ndërsa për 4 raste po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Po punohet për identifikimin dhe kapjen e një shtetasi që dyshohet se i ka vjedhur varësen prej floriri një shtetaseje, në rrugë.
Po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit, pasi më datë 18.08.2026, rreth orës 03:00, në lagjen “29 Nëntori”, Vlorë, në një automjet të parkuar, i cili prej disa vitesh nuk ishte në gjendje pune, dyshohet se është vendosur një sasi e vogël lënde plasëse dhe nga shpërthimi i saj janë shkaktuar dëme të vogla materiale.
Në fushën e krimeve kundër mjedisit janë evidentuar 7 raste, me 7 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 6 raste të dhunës në familje, me 3 shtetas të arrestuar dhe 4 të proceduar në gjendje të lirë. Gjithashtu, janë plotësuar 6 kërkesa-padi për lëshimin e urdhrave të mbrojtjes.
Në fushën e krimeve kibernetike është evidentuar 1 rast, me 1 shtetas të proceduar. Gjithashtu, po punohet për kapjen e një 18-vjeçari që dyshohet se ka përndjekur në rrjetet sociale një shtetase.
Në fushën e krimeve ekonomike janë evidentuar 4 raste, me 4 shtetas të proceduar në gjendje të lirë, ndërsa për 1 rast po punohet për identifikimin e autorit.
Është arrestuar 1 shtetas, për shkelje të masës së sigurisë “Arrest në shtëpi”, si dhe janë proceduar penalisht 34 shtetas, për vepra penale të ndryshme.
Janë arrestuar 7 shtetas dhe janë proceduar penalisht 4 të tjerë, pasi drejtonin mjete në gjendje të dehur dhe/ose pa leje drejtimi. Është arrestuar 1 shtetas dhe janë proceduar penalisht 6 shtetas, pasi dyshohet se kanë shkelur rregullat e qarkullimit rrugor, si dhe është proceduar penalisht 1 shtetas që është larguar nga vendi i aksidentit.
Gjithashtu, u procedua penalisht një 58-vjeçar, pasi dje, në Unazën e Madhe, duke drejtuar një kamion, dyshohet se ka humbur kontrollin dhe, si pasojë, mjeti ka dalë nga rruga dhe është përmbysur. Nga aksidenti u dëmtuan drejtuesi i kamionit dhe pasagjeri, por janë jashtë rrezikut për jetën.
Shërbimet e Policisë Kufitare proceduan penalisht 2 shtetas, për mosdeklarim të shumave monetare, falsifikimin e dokumenteve dhe ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve.
Policia e Shtetit fton qytetarët të denoncojnë në numrin pa pagesë 112 çdo rast paligjshmërie, duke garantuar reagim profesional dhe të shpejtë, si dhe ruajtjen e anonimatit.
Tiranë/Më datë 18.08.2026, shtetasi A. Ç. ka kallëzuar se më datë 17.08.2026, është larguar nga spitali ku po mjekohej babai i tij, 80-vjeç, i cili vuan nga sëmundja e demencës. Punohet për gjetjen e tij.
Devoll/Informacion paraprak
Rreth orës 04:15, në fshatin Gracë, në vendin e quajtuar “Vreshtat”, është gjetur nga familjarët, i vetëvarur në një pemë, shtetasi V. GJ., rreth 53 vjeç.
Nga kqyrja e trupit të viktimës nuk janë konstatuar shenja dhune.
Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.
