Rezultatet kryesore të strukturave policore në vend dhe ngjarjet e ndodhura gjatë 24 orëve të fundit

Shërbimet e Policisë në të gjithë vendin vijojnë kontrollin e territorit, monitorimin e qarkullimit dhe operacionet e njëpasnjëshme, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, për goditjen e paligjshmërive.

Si rezultat i punës hetimore dhe operative, si dhe kontrolleve në terren, janë finalizuar 3 operacione policore, në fushën e armëmbajtjes pa leje dhe për goditjen e veprimtarisë kriminale të dhënies së ndihmës, kundrejt fitimit, me qëllim kalimin e paligjshëm të kufirit nga emigrantët që vijnë nga vendet e treta. Gjatë operacioneve u vunë në pranga 3 shtetas, si dhe u sekuestruan 1 armë zjarri kallashnikov dhe municion luftarak.

Ndërkohë, si rezultat i bashkëpunimit të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë, u finalizuan 3 faza të tjera të operacionit të koduar “The Wanted”, për kapjen dhe ekstradimin e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 13 raste në të gjithë territorin, me 3 autorë të arrestuar dhe 9 të proceduar në gjendje të lirë, ndërsa për 1 rast po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve. Për këto raste janë sekuestruar sasi të lëndëve të dyshuara narkotike kokainë dhe kanabis, si dhe janë asgjësuar bimë kanabisi të kultivuara.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 2 raste, me 5 autorë të proceduar në gjendje të lirë. Ndërkohë, u arrestua një 63-vjeçar, për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, me detyrë përgjegjës i kantierit, pasi ditën e djeshme, në një kantier në Palasë, Himarë, gjatë drejtimit të një mjeti tip skrep, ka dëmtuar një punëtor, 34 vjeç, i cili ndodhet nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.

Gjithashtu, u arrestua një 29-vjeçar, pasi, për motive të dobëta, ka kanosur dhe dëmtuar lehtë me sende të forta pronarin e një lokali në Përmet, i cili, pas ndihmës mjekësore, është larguar për në banesë.

Në fushën e krimeve kundër pronës janë evidentuar 4 raste, me 1 autor të proceduar penalisht dhe 1 autor në kërkim, ndërsa për 3 raste po punohet për identifikimin e autorit/ëve. Gjithashtu, në Shkodër nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin H. S., 70 vjeç, pasi dyshohet se në fshatin Vukatanë ndezi zjarr dhe, si pasojë e erës, zjarri rrezikonte të përhapej drejt banesave. Falë ndërhyrjes së shërbimeve zjarrfikëse dhe të Policisë, zjarri u izolua dhe u shua në kohë, pa shkaktuar dëme në banesa.

Janë evidentuar 7 raste të dhunës në familje, me 1 autor të arrestuar dhe 6 të proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 6 kërkesëpadi për urdhër mbrojtjeje.

Janë evidentuar 11 raste të krimeve kundër mjedisit, me 10 autorë të proceduar në gjendje të lirë dhe 1 në kërkim.

Janë evidentuar 7 raste në fushën e vjedhjes, me 4 autorë të proceduar në gjendje të lirë dhe 1 në kërkim, ndërsa për 2 raste po punohet për identifikimin e autorit/ëve. Gjithashtu, punohet për identifikimin e një shtetasi, pasi në rrugën “Mine Peza”, Tiranë, dyshohet se i ka marrë me dhunë aparatin celular dhe kartën e ID një 24-vjeçari.

Janë evidentuar 2 raste të krimeve ekonomiko-financiare, me 2 autorë të proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 4 raste të mbajtjes pa leje të armëve të ftohta, me 4 autorë të proceduar në gjendje të lirë.

Janë proceduar penalisht 37 shtetas, për vepra të ndryshme penale.

Janë arrestuar 7 shtetas dhe janë proceduar penalisht 6 të tjerë, pasi drejtonin mjete në gjendje të dehur ose pa leje drejtimi. Gjithashtu, janë proceduar penalisht 5 të tjerë, pasi kanë shkelur rregullat e qarkullimit rrugor.

Strukturat e Policisë Kufitare kanë arrestuar 2 shtetas dhe kanë proceduar në gjendje të lirë 1 shtetas, për dhënie ndihme për kalim të paligjshëm të kufirit dhe mosbindje ndaj urdhrit të punonjësit të Policisë.

Policia e Shtetit fton qytetarët të denoncojnë në numrin pa pagesë 112 çdo rast paligjshmërie, duke u garantuar reagim profesional, të shpejtë dhe anonimitet të sigurt.

 

Vlorë/ Informacion paraprak

Sot, rreth orës 04:05, në lagjen “10 Korriku”, Vlorë, ka rënë zjarr në ambientet e brendshme të një hoteli, në pronësi të shtetases M. A.

Si pasojë e zjarrit janë lënduar 6 pushues, (5 prej tyre shtetas të Kosovës dhe 1 shtetas nga Rrësheni).

Pesë nga të lënduarit janë transportuar për mjekim në Spitalin e Djegieve në Tiranë, ku 2 prej tyre kanë pësuar djegie të konsiderueshme trupore. Një shtetas po merr ndihmë mjekësore në Spitalin Rajonal Vlorë.

Gjithashtu, nga zjarri janë shkaktuar dëme materiale.

Nga veprimet hetimore të kryera, përfshirë këqyrjen e pamjeve të kamerave të sigurisë, rezultoi se zjarri ka qenë aksidental, i shkaktuar nga djegia e prizës elektrike të frigoriferit, i cili ndodhej në ambientet e restorantit.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet procedurale për dokumentimin e plotë të ngjarjes.