Shërbimet e Policisë, në të gjithë vendin, vijojnë kontrollin e territorit, monitorimin e qarkullimit dhe operacionet e njëpasnjëshme, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, për goditjen e paligjshmërive.
Si rezultat i punës hetimore dhe operative, si dhe kontrolleve në terren, janë finalizuar 6 operacione për goditjen e trafikimit të armëve të zjarrit, armëmbajtjes pa leje, kultivimit të fidanëve/bimëve narkotike, shfrytëzimit të prostitucionit dhe krimit kompjuterik/kibernetik. Gjatë operacioneve u vunë në pranga 11 shtetas dhe u proceduan në gjendje të lirë 3 shtetas, si dhe janë sekuestruar 5 armë zjarri, municion luftarak, 1 armë gjahu pa leje, 2500 fidanë cannabis, 2 automjete dhe 5 celularë.
Janë kapur/ndaluar 3 shtetas që ishin në kërkim për vepra të ndryshme penale, si dhe u shpall në kërkim 1 shtetas për thyerje të masës së sigurisë “Arrest në shtëpi”.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 20 raste në të gjithë territorin, me 3 autorë të arrestuar dhe 14 të proceduar në gjendje të lirë, ndërsa për 7 raste po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve. Për këto raste janë sekuestruar sasi të lëndëve të dyshuara narkotike kokainë dhe kanabis, si dhe janë asgjësuar bimë kanabisi të kultivuara.
Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 4 raste, me 2 autorë të arrestuar për konflikt për vendin ku tregtonin, si dhe u proceduan penalisht 8 shtetas, ndërmjet tyre 4 për kundërshtim dhe mosbindje ndaj urdhrit të punonjësit të Policisë.
Gjithashtu, u shpall në kërkim një automjet, pasi dyshohet se drejtuesi i tij, ende i paidentifikuar, për motive të dobëta, ka goditur me një mjet prerës në dorë një shtetas, banues në fshatin Gjashtë, Sarandë, duke i shkaktuar dëmtime të lehta. Punohet për identifikimin e drejtuesit të automjetit dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Në fushën e krimeve kundër pronës janë evidentuar 2 raste, me 2 autorë të proceduar në gjendje të lirë dhe 1 në kërkim. U arrestua një 20-vjeçar, i cili dyshohet se vuan nga probleme të shëndetit mendor, pasi ka dëmtuar me sende të forta (gurë e dërrasa), fasadat dhe xhamat e disa bizneseve (mobileri) në Nikël. 20-vjeçari është shtruar në Spitalin Psikiatrik Tiranë.
Janë evidentuar 7 raste të dhunës në familje, me 4 autorë të arrestuar, 6 të proceduar në gjendje të lirë dhe 1 në kërkim, si dhe janë plotësuar 6 kërkesëpadi për urdhër mbrojtjeje.
Janë evidentuar 11 raste të krimeve kundër mjedisit, me 11 autorë të proceduar në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 3 raste në fushën e vjedhjes, me 1 autor në kërkim, ndërsa për 2 raste po punohet për identifikimin e autorit/ëve.
Janë evidentuar 3 raste të krimeve ekonomiko-financiare, me 3 autorë të proceduar në gjendje të lirë.
Janë proceduar penalisht 41 shtetas, për vepra të ndryshme penale.
Janë arrestuar 5 shtetas dhe janë proceduar penalisht 2 të tjerë, pasi drejtonin mjete në gjendje të dehur ose pa leje drejtimi. Gjithashtu, janë proceduar penalisht 6 të tjerë, pasi kanë shkelur rregullat e qarkullimit rrugor.
Strukturat e Policisë Kufitare kanë kapur 1 shtetas në kërkim, për llogari të Komisariatit të Policisë Gramsh.
Gjithashtu, kanë proceduar në gjendje të lirë 4 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit, kontrabandë të mallrave, peshkim të ndaluar dhe mosbindje/kundërshtim të punonjësit të Policisë.
Informacione paraprake
Elbasan/ Në lagjen “Vullnetari”, automjeti me drejtues shtetasin D. Ç., 38 vjeç, ka aksidentuar një fëmijë të mitur, 5 vjeçe, e cila është në kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën. Drejtuesi i automjetit u shoqërua në komisariat, për veprime të mëtejshme procedurale. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të aksidentit.
Lezhë/ Rreth orës 11:05, në fshatin Barbullojë, Lezhë, është gjetur nga familjarët, dyshohet i vetëvarur në oborrin e banesës së tij, shtetasi N. M., rreth 82 vjeç. Nga këqyrja paraprake e trupit nuk janë konstatuar shenja dhune. Grupi hetimor vijon punën për sqarimin dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të rastit.
Policia e Shtetit fton qytetarët të denoncojnë në numrin pa pagesë 112 çdo rast paligjshmërie, duke u garantuar reagim profesional, të shpejtë dhe anonimitet të sigurt.
