Rezultatet kryesore të strukturave policore në vend dhe ngjarjet e ndodhura gjatë 24 orëve të fundit

Shërbimet e Policisë, në të gjithë vendin, vijojnë kontrollet në territor, monitorimin e qarkullimit rrugor dhe goditjet e njëpasnjëshme, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, me qëllim parandalimin dhe goditjen e paligjshmërive.

Si rezultat, janë finalizuar 9 aksione policore kundër shitjes së drogave të forta dhe lëndës narkotike Cannabis Sativa në Tiranë, Fier dhe Kukës, kultivimit të bimëve narkotike në Shkodër, përshtatjes së lokalit për lojëra fati në Kukës, transportimit të kundërligjshëm të emigrantëve në Elbasan, ushtrimit të prostitucionit në Tiranë, për zbardhjen e vjedhjeve në Tiranë, si dhe për garantimin e qetësisë publike në Ksamil dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të shtetasve të ngarkuar me përgjegjësi për zjarrin në Lurë.

Për këto raste, janë sekuestruar sasi të lëndëve narkotike Kokainë dhe Cannabis Sativa, fidanë në kubikë të dyshuar narkotikë Cannabis Sativa, 3 automjete, sende që i shërbenin organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit, si dhe disa celularë.

Gjithashtu, janë kapur 5 shtetas të shpallur në kërkim, 2 prej tyre për tentativa për vrasje në Tiranë.

Në fushën e narkotikëve, krahas aksioneve, janë goditur 18 raste, me 2 shtetas të arrestuar, 8 shtetas të proceduar në gjendje të lirë dhe 1 shtetas të shpallur në kërkim. Janë sekuestruar sasi/doza të lëndëve narkotike Kokainë dhe Kanabis. Për 6 nga këto raste punohet me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 11 raste, me 16 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Gjithashtu, janë shpallur në kërkim 2 shtetas në Tiranë, pasi dyshohet se kanë kanosur një shtetas, për të mos kallëzuar se e kishin dhunuar. Punohet për kapjen e tyre.

Në fushën e krimeve kundër pronës janë evidentuar 3 raste, me 3 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Gjithashtu, është arrestuar një shtetas dhe 3 të tjerë janë proceduar penalisht, për shkatërrim të pronës me zjarr.

Janë evidentuar 10 raste vjedhjeje, me 3 shtetas të proceduar në gjendje të lirë dhe 2 shtetas të shpallur në kërkim. Për 2 nga këto raste po punohet me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë evidentuar 7 raste të dhunës në familje, me 1 shtetas të arrestuar, 5 shtetas të proceduar në gjendje të lirë dhe 2 shtetas të shpallur në kërkim. Gjithashtu, janë plotësuar 9 kërkesëpadi për lëshimin e urdhrave të mbrojtjes.

Janë evidentuar 15 raste të krimeve kundër mjedisit, me 15 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ekonomiko-financiare janë evidentuar 6 raste, me 6 shtetas të proceduar në gjendje të lirë. Në një rast prej këtyre, në fushën e kontrabandës, është proceduar penalisht, për shpërdorim të detyrës, një shtetas me detyrë doganier në degën Kakavijë.

Janë arrestuar 2 shtetas për shkelje të masës së sigurisë “Arrest në shtëpi”, si dhe janë proceduar penalisht 16 shtetas për vepra penale të ndryshme. Ndër ta, 1 shtetas për ngacmim seksual, pasi, në një portal, pretendon një shtetase se i proceduari dhe 1 shtetas tjetër (të cilit i është marrë deklarim) e kanë ngacmuar seksualisht, me fjalë.

Janë arrestuar 3 shtetas dhe janë proceduar penalisht 2 të tjerë, pasi drejtonin mjete në gjendje të dehur dhe/ose pa leje drejtimi. Është arrestuar 1 shtetas dhe janë proceduar penalisht 4 shtetas, pasi dyshohet se kanë shkelur rregullat e qarkullimit rrugor. Për 2 raste të tjera në këtë fushë punohet për identifikimin dhe/ose kapjen e drejtuesve të automjeteve që shkaktuan aksidente.

Shërbimet e PKK Muriqan, në dalje të RSh-së, kanë kapur 1 shtetas dhe kanë iniciuar procedimin penal për 2 të tjerë, të gjithë francezë, pasi kishin me vete një sasi lënde narkotike Cannabis Sativa.

Gjithashtu, shërbimet e Policisë Kufitare referuan materialet në Prokurori, për 9 raste të mosbindjes ndaj urdhrit të punonjësve të Policisë, fshehjes së të ardhurave, peshkimit të ndaluar, kalimit të kundërligjshëm të kufijve, mosdeklarimit të të hollave në PKK, trafikimit të mjeteve motorike dhe kontrabandës.

Policia e Shtetit fton qytetarët të denoncojnë në numrin pa pagesë 112 çdo rast paligjshmërie, duke garantuar reagim profesional dhe të shpejtë, si dhe ruajtjen e anonimatit.