Rezultatet kryesore të strukturave policore në vend dhe ngjarjet e ndodhura gjatë 24 orëve të fundit

Shërbimet e Policisë në të gjithë vendin vijojnë kontrollin e territorit, monitorimin e qarkullimit dhe operacionet e njëpasnjëshme, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, për goditjen e paligjshmërive.

Si rezultat i punës hetimore dhe operative, si dhe kontrolleve në terren, janë finalizuar 2 operacione: 1 për kapjen e një shtetasi në kërkim ndërkombëtar dhe 1 për goditjen e kultivimit të bimëve narkotike. Gjatë operacioneve u vunë në pranga 3 shtetas, si dhe u asgjësuan 1121 bimë narkotike kanabis.

Janë kapur/ndaluar 4 shtetas që ishin në kërkim për vepra të ndryshme penale, ndër ta edhe një në Krujë, i shpallur në kërkim ditën e djeshme për veprat penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 8 raste në të gjithë territorin, me 2 autorë të arrestuar dhe 6 të proceduar në gjendje të lirë. Për këto raste janë sekuestruar sasi të lëndëve të dyshuara narkotike kokainë dhe kanabis, si dhe janë asgjësuar bimë kanabisi të kultivuara.

Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 6 raste, me 7 autorë të proceduar në gjendje të lirë, ndërsa u shpall në kërkim një 36-vjeçar, banues në Stjar, Delvinë, i cili dyshohet se, për motive të dobëta, ka goditur me sende të forta një 57-vjeçar, banues në fshatin Jermë, Finiq.

Gjithashtu, janë proceduar në gjendje të lirë 3 shtetas për mosbindje ndaj urdhrit të punonjësit të Policisë dhe 1 shtetas për veprën penale “Përndjekja”.

U arrestua 1 shtetas dhe 1 tjetër u shpall në kërkim, për thyerje të masës së sigurisë “Arrest në shtëpi”.

Në fushën e krimeve kundër pronës janë evidentuar 5 raste, me 1 autor të proceduar në gjendje të lirë dhe 1 në kërkim, ndërsa për 3 raste po punohet për identifikimin e autorit/ëve. Ndërkohë  po punohet për sqarimin e plotë të rrethanave, identifikimin e autorit dhe dokumentimin e plotë ligjor të rastit të ndodhur më datë 02.08.2026, rreth orës 01:35, në Surrel, ku në çatinë e një resorti në pronësi të shtetasit A. L., dyshohet se është hedhur një kapsollë (lëndë piroteknike). Si pasojë, është thyer një nga tjegullat e mbulimit të çatisë.

Janë evidentuar 15 raste të dhunës në familje, me 4 autorë të arrestuar, 11 të proceduar në gjendje të lirë dhe 2 në kërkim. Gjithashtu, janë plotësuar 9 kërkesëpadi për urdhër mbrojtjeje.

Janë evidentuar 12 raste të krimeve kundër mjedisit, me 9 autorë të proceduar në gjendje të lirë dhe 1 në kërkim, ndërsa për 2 raste po punohet për identifikimin e autorit/ëve.

Janë evidentuar 6 raste në fushën e vjedhjes, me 1 autor të arrestuar, 3 të proceduar në gjendje të lirë dhe 1 në kërkim, ndërsa për 1 rast po punohet për identifikimin e autorit/ëve.

Janë evidentuar 2 raste në fushën e krimeve kompjuterike/kibernetike, me 1 autor të proceduar në gjendje të lirë, ndërsa për 1 rast po punohet për identifikimin e autorit/ëve.

Janë evidentuar 2 raste të krimeve ekonomiko-financiare, me 2 autorë të proceduar në gjendje të lirë.

Janë proceduar penalisht 10 shtetas, për vepra të ndryshme penale.

Janë arrestuar 4 shtetas dhe janë proceduar penalisht 3 të tjerë, pasi drejtonin mjete në gjendje të dehur ose pa leje drejtimi. Gjithashtu, janë proceduar penalisht 3 të tjerë, pasi kanë shkelur rregullat e qarkullimit rrugor.

Strukturat e Policisë Kufitare kanë proceduar në gjendje të lirë 2 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit dhe trafikim të mjeteve motorike.

Janë referuar materialet në Prokurori, për vlerësim, pasi më datë 01.08.2026, në Palermo, Himarë, shtetasi B. B., 56 vjeç, gjatë furnizimit me karburant të mjetit të tij lundrues (gomone), dyshohet se është djegur aksidentalisht me benzinë në trup. Ai ndodhet në Spitalin e Traumës, nën kujdesin e mjekëve.

Policia e Shtetit fton qytetarët të denoncojnë në numrin pa pagesë 112 çdo rast paligjshmërie, duke u garantuar reagim profesional, të shpejtë dhe anonimatin e tyre.