Shërbimet e Policisë në të gjithë vendin vijojnë kontrollin e territorit, monitorimin e qarkullimit rrugor dhe operacionet e njëpasnjëshme, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, me synim goditjen e paligjshmërive dhe rritjen e sigurisë publike.
Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore dhe operacionale janë finalizuar 3 operacione për: kapjen e 1 shtetasi në kërkim ndërkombëtar, i dënuar me 11 vjet burgim, për trafikim të lëndëve narkotike, goditjen e veprimtarisë kriminale të transportimit të kundërligjshëm të emigrantëve dhe për lirimin e hapësirave publike në plazhe.
U ekzekutua masa e sigurisë “Arrest në burg” për 2 shtetas, njëri prej të cilëve u vetëdorëzua. Ky i fundit akuzohet nga GJKKO, si pjesëtar i një grupi kriminal në fushën e narkotikëve.
Gjithashtu, u kap dhe u vu në pranga një 30-vjeçar, i cili ishte shpallur në kërkim pasi dyshohet se më datë 02.07.2026, në Konispol, ka tentuar të marrë me dhunë dhe të fusë në automjetin e tij, një shtetase nga Nepali. Automjeti i tij është sekuestruar në cilësinë e provës materiale.
Në fushën e narkotikëve janë goditur 6 raste në të gjithë territorin, me 2 autorë të arrestuar dhe 3 autorë të proceduar në gjendje të lirë, ndërsa për 1 rast kultivimi vijon puna për identifikimin dhe kapjen e autorit/autorëve. Për këto raste janë sekuestruar sasi të lëndëve të dyshuara narkotike kokainë dhe cannabis sativa, si dhe janë asgjësuar bimë kanabisi të kultivuara.
Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 2 raste, me 3 autorë të proceduar në gjendje të lirë. Po punohet për identifikimin dhe kapjen e një shtetasi që dyshohet se ka dëmtuar me mjet prerës 2 shtetas, të cilët morën ndihmë mjekësore dhe më pas u larguan nga spitali.
Janë evidentuar 5 raste të dhunës në familje, me 3 autorë të arrestuar dhe 2 të proceduar në gjendje të lirë. Gjithashtu, janë plotësuar 5 kërkesëpadi për urdhër mbrojtjeje.
Në fushën e krimeve kundër pronës janë evidentuar 10 raste, me 2 autorë të arrestuar, 8 të proceduar në gjendje të lirë dhe 2 të shpallur në kërkim, ndërsa për 1 rast vijon puna për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Janë evidentuar 6 raste të krimeve kundër mjedisit, me 6 autorë të proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve ekonomiko-financiare janë evidentuar 3 raste, me 6 autorë të dyshuar të proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve kompjuterike/kibernetike janë evidentuar 2 raste, me 2 autorë të proceduar në gjendje të lirë.
Është proceduar në gjendje të lirë 1 shtetas për mosbindje ndaj urdhrit të punonjësit të Policisë.
Janë arrestuar 2 shtetas dhe po punohet për kapjen e 2 shtetasve të tjerë, pasi kanë thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”.
Janë proceduar në gjendje të lirë 13 shtetas, për vepra të ndryshme penale.
Në fushën e qarkullimit rrugor janë arrestuar 3 shtetas dhe janë proceduar penalisht 4 të tjerë, pasi drejtonin automjete në gjendje të dehur ose pa leje drejtimi. Gjithashtu, janë proceduar penalisht 6 shtetas për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor, si dhe po punohet për identifikimin dhe kapjen e një shtetasi që është larguar nga vendi i aksidentit.
Policia Kufitare
U kap në dalje të Republikës së Shqipërisë dhe u arrestua, me qëllim ekstradimin në Gjermani, 1 shtetas gjerman i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet gjermane, për veprën penale “Mashtrimi ndaj institucioneve shtetërore”.
U procedua në gjendje të lirë 1 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.
Policia e Shtetit fton qytetarët të denoncojnë çdo rast paligjshmërie në numrin pa pagesë 112, duke garantuar reagim të shpejtë, profesionalizëm dhe anonimatin e plotë.
Fier/Informacion paraprak
Rreth orës 05:00, në fshatin Suk, Roskovec, është gjetur pa shenja jete, shtetasja F. S., 63 vjeçe. Nga veprimet e para hetimore dyshohet se kjo shtetase është vetëvarur.
Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit.
