Shërbimet e Policisë në të gjithë vendin vijojnë kontrollin e territorit, monitorimin e qarkullimit rrugor dhe operacionet e njëpasnjëshme, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, me synim goditjen e paligjshmërive dhe rritjen e sigurisë publike.
Janë kapur/ndaluar 3 shtetas që ishin në kërkim për vepra të ndryshme penale.
Në fushën e narkotikëve janë goditur 6 raste në të gjithë territorin, me 5 autorë të proceduar në gjendje të lirë, ndërsa për 1 rast kultivimi vijon puna për identifikimin dhe kapjen e autorit/autorëve. Për këtë rast u procedua penalisht 1 shtetas, për moskallëzim krimi, pasi bimët narkotike ishin kultivuar pranë banesës së tij.
Për këto raste janë sekuestruar sasi të lëndës së dyshuar narkotike cannabis sativa, si dhe janë asgjësuar bimë kanabisi të kultivuara.
Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 9 raste, me 15 autorë të proceduar në gjendje të lirë. Tre prej tyre, gjatë shoqërimit, kanë kundërshtuar dhe goditur me sende të forta punonjësit e Policisë.
Gjithashtu, po punohet për kapjen e 2 shtetasve (një 19-vjeçar dhe një 15-vjeçar) dhe për identifikimin e një tjetri, të cilët dyshohet se, mbrëmjen e djeshme, në Durrës, gjatë një konflikti për motive të dobëta, kanë dëmtuar lehtë me mjet prerës 3 shtetas (të moshave 18-20 vjeç), të cilët janë jashtë rrezikut për jetën.
Janë proceduar në gjendje të lirë 2 shtetas, për mosbindje ndaj urdhrave të punonjësve të Policisë.
Janë evidentuar 7 raste të dhunës në familje, me 1 autor të arrestuar, 4 të proceduar në gjendje të lirë dhe 2 të shpallur në kërkim. Gjithashtu, janë plotësuar 6 kërkesëpadi për urdhër mbrojtjeje.
Në fushën e krimeve kundër pronës janë evidentuar 7 raste, me 2 autorë të proceduar në gjendje të lirë, ndërsa për 5 raste vijon puna për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Janë evidentuar 12 raste të krimeve kundër mjedisit, me 12 autorë të proceduar në gjendje të lirë, ndërsa për 2 raste vijon puna për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Janë proceduar në gjendje të lirë 18 shtetas, për vepra të ndryshme penale.
U procedua në gjendje të lirë shtetasi G. N., 54 vjeç, pasi në Spitalin Rajonal Lezhë, ku kishte shkuar për të marrë mjekim për shkak të problemeve shëndetësore, dyshohet se i ka rënë nga çanta e krahut një armë zjarri, e dyshuar pistoletë, duke shkaktuar një shkrepje të pavullnetshme. Në vijim të veprimeve hetimore, u shpall në kërkim djali i tij, 18 vjeç, pasi dyshohet se ka fshehur armën e zjarrit, me qëllim pengimin e zbulimit të së vërtetës. Gjithashtu, u procedua penalisht në gjendje të lirë një punonjës i spitalit (punonjës IT), shtetasi A. V., 54 vjeç, pasi dyshohet se ka kryer veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës. Vijojnë hetimet për sqarimin e rrethanave dhe dokumentimin e plotë ligjor të rastit.
Në fushën e qarkullimit rrugor janë arrestuar 9 shtetas dhe janë proceduar penalisht 4 të tjerë, pasi drejtonin automjete në gjendje të dehur ose pa leje drejtimi. Gjithashtu, është arrestuar 1 shtetas dhe është proceduar penalisht 1 tjetër, për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor, si dhe po punohet për shoqërimin e një shtetasi që është larguar nga vendi i aksidentit.
Po ashtu, u arrestua një 22-vjeçar, pasi dyshohet se, me automjetin që drejtonte, ka përplasur biçikletën me të cilën lëvizte një i mitur, i cili ndodhet në kujdesin e mjekëve.
Strukturat e Policisë Kufitare kanë kapur 1 shtetas në kërkim dhe kanë proceduar në gjendje të lirë 1 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.
Shërbimet e Policisë Kufitare Vlorë i kanë shkuar në ndihmë një shtetasi që kishte mbetur në det, për shkak se mjeti i tij lundrues kishte pësuar defekt në vendin e quajtur “Shën Jani”. Shtetasi u transportua në breg, me mjetin e Policisë Kufitare.
Policia e Shtetit fton qytetarët të denoncojnë çdo rast paligjshmërie në numrin pa pagesë 112, duke garantuar reagim të shpejtë, profesionalizëm dhe anonimatin e plotë.
