Rezultatet kryesore të strukturave policore në vend dhe ngjarjet e ndodhura gjatë 24 orëve të fundit

Shërbimet e Policisë në të gjithë vendin vijojnë kontrollin e territorit, monitorimin e qarkullimit dhe operacionet e njëpasnjëshme, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, për goditjen e paligjshmërive.

Si rezultat i punës hetimore dhe operative, si dhe kontrolleve në terren, janë finalizuar 3 operacione policore, për garantimin e sigurisë ushqimore, kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar, si dhe goditjen e organizimit të transportimit të emigrantëve që synojnë të kalojnë kufijtë në kundërshtim me ligjin.

Janë kapur/ndaluar 6 shtetas të shpallur në kërkim kombëtar për vepra të ndryshme penale, ndër ta 2 për goditjen, për shkak të detyrës, të një punonjësi të Policisë Bashkiake në Sarandë.

Ndërkohë, nga Komisariati i Policisë Sarandë u shpallën në kërkim 3 shtetas, pasi, për shkak të detyrës, kanë kanosur dhe goditur një oficer Policie, specialist për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Sarandë.

Në fushën e narkotikëve janë goditur 11 raste në të gjithë territorin, me 2 autorë të arrestuar dhe 9 të proceduar në gjendje të lirë. Për këto raste janë sekuestruar doza me lëndë narkotike kokainë dhe cannabis sativa. Ndërkaq, për 5 raste të tjera në këtë fushë po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 13 raste, me 3 autorë të arrestuar, 14 të proceduar në gjendje të lirë dhe 4 të shpallur në kërkim. Gjithashtu, është proceduar penalisht një shtetas dhe një avokat, pasi kanë goditur dhe shtyrë njëri-tjetrin pas përfundimit të një seance gjyqësore.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Lezhë referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin P. Gj., 54 vjeç, pasi shfaqet në një video të publikuar në portalin “JOQ”, duke goditur me gur në kokë një shtetase. Nga veprimet e para hetimore dyshohet se 54-vjeçari vuan nga probleme të shëndetit mendor dhe, për ekzaminim të mëtejshëm, u shoqërua në spitalin psikiatrik.

Në fushën e krimeve kundër pronës janë evidentuar 4 raste, me 1 autor të shpallur në kërkim dhe 3 të proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 3 raste të vjedhjes, me 1 shtetas të arrestuar, 1 të proceduar në gjendje të lirë dhe 1 të shpallur në kërkim. Ndërkaq, për 3 raste të tjera po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë evidentuar 13 raste të dhunës në familje, me 5 autorë të arrestuar dhe 6 të proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 17 kërkesëpadi për urdhër mbrojtjeje.

Janë evidentuar 5 raste të krimeve kundër mjedisit, me 5 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ekonomiko-financiare janë evidentuar 12 raste, me 12 autorë të proceduar në gjendje të lirë.

Janë arrestuar 3 shtetas për thyerje të masës së sigurisë, ngacmim seksual, përndjekje dhe përdorim me keqdashje të thirrjeve telefonike, si dhe janë proceduar në gjendje të lirë 21 shtetas për vepra të ndryshme penale.

Janë arrestuar 5 shtetas dhe janë proceduar penalisht 5 të tjerë, pasi drejtonin automjete në gjendje të dehur ose pa leje drejtimi. Gjithashtu, janë proceduar penalisht 8 shtetas, pasi dyshohet se kanë shkelur rregullat e qarkullimit rrugor.

Është proceduar penalisht edhe 1 shtetas, pasi ka tentuar të korruptojë punonjësit e Policisë Rrugore të Tiranës, duke u ofruar 10 000 lekë të rinj për të shmangur ndëshkimin për përdorimin e celularit gjatë drejtimit të automjetit.

Strukturat e Policisë Kufitare:

-ekstraduan në Spanjë dhe në Gjermani 2 shtetas të akuzuar për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve;

-kapën 1 shtetas të shpallur në kërkim;

-goditën 2 raste të kalimit të kundërligjshëm të kufirit, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-u shkuan në ndihmë 3 shtetasve, në Vain dhe në Vlorë, të cilët kishin nevojë për ndihmë. Dy shtetasit në Vain rrezikonin të mbyteshin, ndërsa shtetasi i huaj në Vlorë u dëmtua në këmbë gjatë zbritjes nga një mjet lundrues.

Informacione paraprake

Tiranë / Më datë 17.07.2026, rreth orës 01:45, në Rrugën e Dibrës, në hyrje të një vendparkimi për mjete, ka rënë zjarr në një kabinë elektrike dhe, për pasojë, janë djegur 10 motomjete dhe 6 biçikleta. Grupi hetimor vijon punën për sqarimin e rrethanave të rastit. Nga hetimet paraprake dyshohet se ngjarja është aksidentale.

Shkodër / Dje, rreth orës 18:00, në aksin rrugor “Theth–Shkodër”, në afërsi të fshatit Theth, si pasojë e reshjeve të dendura të shiut, dyshohet se një gur ka rënë mbi automjetin që drejtonte shtetasja izraelite D. A., 53 vjeçe. Si pasojë janë dëmtuar lehtë 53-vjeçarja dhe pasagjeri 16-vjeçar, të cilët janë në kujdesin e mjekëve dhe jashtë rrezikut për jetën. Grupi hetimor po punon për dokumentimin e plotë të rrethanave të rastit.

Policia e Shtetit fton qytetarët të denoncojnë në numrin pa pagesë 112 çdo rast paligjshmërie, duke u garantuar reagim profesional, të shpejtë dhe anonimitet të sigurt.