Shërbimet e Policisë në të gjithë vendin vijojnë kontrollin e territorit, monitorimin e qarkullimit dhe operacionet e njëpasnjëshme, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, për goditjen e paligjshmërive.
Si rezultat i veprimeve hetimore dhe operacionale janë finalizuar 2 operacione për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve.
Janë kapur/ndaluar 6 shtetas që ishin në kërkim për vepra të ndryshme penale.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 9 raste në të gjithë territorin, me 4 autorë të arrestuar, 6 të proceduar në gjendje të lirë dhe 3 në kërkim, ndërsa për 2 raste po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Për njërin nga rastet pa autor, janë proceduar në gjendje të lirë 2 kryepleq fshatrash, për shpërdorim detyre, dhe 1 shtetas, pë moskallëzim krimi. Janë asgjësuar bimë të dyshuara narkotike të kultivuara.
Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 10 raste, me 1 autor të arrestuar, 10 të proceduar në gjendje të lirë dhe 1 në kërkim. Është arrestuar 1 shtetas i dyshuar për marrëdhënie seksuale me dhunë dhe është proceduar në gjendje të lirë 1 shtetas i dyshuar për ngacmim seksual.
U arrestua një 42-vjeçar dhe u shpall në kërkim një 52-vjeçar, pasi dyshohet se më datë 07.07.2026, rreth orës 02:00, në rrugën “Siri Kodra”, kanë goditur me grushte dhe me shkelma, një 59-vjeçar, për motive të dobëta. (Për këtë rast, është publikuar video në portalin “JOQ”).
Është arrestuar 1 shtetas, pasi ka tentuar të largohet nga ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, duke goditur punonjësin e Policisë. Pas kapjes nga shërbimet e Patrullës së Përgjithshme, ai u arrestua në flagrancë për veprat penale “Goditje për shkak të detyrës” dhe “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”. Gjithashtu, u ekzekutua dhe vendimi i Gjykatës për këtë shtetas, e cila e ka dënuar me 6 muaj burgim, për veprën penale “Vjedhja”, kryer në bashkëpunim.
Gjithashtu, është arrestuar 1 shtetas dhe janë proceduar në gjendje të lirë 3, për kundërshtim/mosbindje ndaj urdhrit të punonjësve të Policisë/goditje për shkak të detyrës.
U arrestua inxhinieri/përgjegjesi i sigurisë në një firmë ndërtimi, pasi gjatë punimeve në kantierin e firmës, ka rënë nga lartësia, një punonjës, i cili ndodhet në spital, në kujdesin e mjekëve.
Janë evidentuar 11 raste të dhunës në familje, me 1 autor të arrestuar, 11 autorë të proceduar në gjendje të lirë dhe 3 në kërkim, si dhe janë plotësuar 11 kërkesëpadi për urdhër mbrojtjeje.
Në fushën e krimeve kundër pronës janë evidentuar 13 raste, me 9 autorë të proceduar në gjendje të lirë dhe 3 në kërkim, ndërsa për 1 rast po punohet për identifikimin e autorëve.
Janë evidentuar 11 raste të krimeve kundër mjedisit, me 10 autorë të proceduar në gjendje të lirë, ndërsa për 1 rast po punohet për identifikimin e autorëve.
Në fushën e krimeve eknomiko-financiare janë evidentuar 7 raste, me 6 autorë të proceduar në gjendje të lirë dhe 1 në kërkim.
Është arrestuar 1 shtetas, janë proceduar penalisht 16 shtetas dhe janë shpallur në kërkim 3, për vepra të ndryshme penale.
Janë arrestuar 11 shtetas dhe janë proceduar penalisht 6 të tjerë, pasi drejtonin mjete në gjendje të dehur ose pa leje drejtimi. Gjithashtu, janë proceduar penalisht 6 të tjerë, pasi kanë shkelur rregullat e qarkullimit rrugor, si dhe po punohet për identifikimin dhe kapjen e një shtetasi që është larguar nga vendi i aksidentit.
Shërbimet e Policisë Kufitare kanë proceduar në gjendje të lirë 3 shtetas, për kalim të paligshshëm të kufirit/vjedhje.
Policia e Shtetit fton qytetarët të denoncojnë në numrin pa pagesë 112 çdo rast paligjshmërie, duke garantuar reagim profesional, të shpejtë dhe anonimitet të sigurt.
Reagim i Drejtorisë Vendore të Policisë Fier
Në lidhje me një video që po qarkullon në rrjetet sociale, ku shfaqen dy shtetas të mitur duke punuar në një kantier ndërtimi në fshatin Pojan, Fier, strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Fier kanë nisur menjëherë veprimet për verifikimin e rastit.
Dy të miturit, të moshës 14 dhe 15 vjeç, janë shoqëruar në Komisariatin e Policisë, ku u janë marrë deklarimet në prani të prindërve dhe psikologut. Nga deklarimet e tyre rezultoi se ata nuk janë të punësuar në kantier. Sipas tyre, prindi i njërit prej tyre është i punësuar në këtë kantier ndërtimi dhe ata kishin shkuar për t’i dërguar ushqim. Në atë moment është realizuar edhe videoja, e cila më pas është publikuar në rrjetet sociale.
Gjithashtu, është marrë në pyetje edhe prindi i njërit prej të miturve, i punësuar në këtë kantier ndërtimi, i cili ka konfirmuar të njëjtat rrethana të deklaruara nga të miturit.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Fier për vlerësim të mëtejshëm.
