Rezultatet kryesore të strukturave policore në vend dhe ngjarjet e ndodhura gjatë 24 orëve të fundit

Shërbimet e Policisë në të gjithë vendin vijojnë kontrollin e territorit, monitorimin e qarkullimit dhe operacionet e njëpasnjëshme, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, për goditjen e paligjshmërive.

Si rezultat i angazhimit maksimal të strukturave të Policisë së Shtetit janë finalizuar 2 operacione:
1 për goditjen e një grupi të strukturuar kriminal që shiste lëndë narkotike në zona të ndryshme të kryeqytetit, kryesisht pranë shkollave 9-vjeçare dhe të mesme. U vunë në pranga 14 pjesëtarë të grupit, 5 u shpallën në kërkim, si dhe u sekuestruan lëndë narkotike Kokainë, Cannabis Sativa, armë zjarri pistoletë dhe sende për lojëra fati;

1 për kapjen e një shtetasi që qarkullonte i armatosur me pistoletë.

Janë kapur/ndaluar 5 shtetas që ishin në kërkim për krime kundër personit/pronës.
Gjithashtu, u ekzekutua masa e sigurisë “Arrest në burg”, për shtetasin M. N., 37 vjeç, banues në Memaliaj, caktuar nga Gjykata e Gjirokastrës, për veprën penale “Vrasja me dashje”, kryer në bashkëpunim, për ngjarjen e ndodhur më datë 21.04.2026, në Memaliaj, ku u vra me armë zjarri, një 30-vjeçar.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 4 raste në të gjithë territorin, me 3 autorë të proceduar në gjendje të lirë, ndërsa për 1 rast po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Janë sekuestruar sasi të lëndës së dyshuar narkotike Cannabis Sativa dhe janë asgjësuar bimë të dyshuar narkotike.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 19 raste, me 3 autorë të arrestuar, 23 proceduar në gjendje të lirë dhe 7 në kërkim. Gjithashtu, është proceduar në gjendje të lirë 1 shtetas, për mosbindje ndaj urdhrit të punonjësit të Policisë, si dhe është arrestuar 1 shtetas, pasi ka thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”.

Vlorë/Reagimi i menjëhershëm i Policisë parandaloi përshkallëzimin e një konflikti me sende të forta dhe të mprehta, në lagjen “29 Nëntori”. Policia vuri në pranga 1 shtetas dhe shpalli në kërkim bashkëpunëtorin e tij, të cilët goditën me sende të forta dhe me sëpatë, një 37-vjeçar.
Është vënë në pranga shtetasi A. B., 21 vjeç, banues në Vlorë (i cili u kap në flagrancë nga Policia, në vendin e ngjarjes), dhe është shpallur në kërkim bashkëpunëtori i tij, shtetasi I. H., 17 vjeç, banues në Orikum. 37-vjeçari D. C. po merr mjekim në spital dhe është jashtë rrezikut për jetën. Policia sekuestroi një sasi fishekësh për armë sportive, që u gjetën në banesën e shtetasit të shpallur në kërkim, si dhe sëpatën e përdorur në vendngjarje.

Në fushën e krimeve kundër pronës janë evidentuar 9 raste, me 7 autorë të proceduar në gjendje të lirë dhe 1 në kërkim, ndërsa për 4 raste po punohet për identifikimin e autorëve.

Janë evidentuar 9 raste të dhunës në familje, me 2 autorë të arrestuar dhe 7 të proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 15 kërkesëpadi për urdhër mbrojtjeje.

Janë evidentuar 8 raste të krimeve kundër mjedisit, me 10 autorë të proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 6 raste të krimeve ekonomiko-financiare, me 5 autorë të proceduar në gjendje të lirë dhe 1 në kërkim.

Janë proceduar penalisht 6 shtetas, për vepra të ndryshme penale.

Janë arrestuar 2 shtetas dhe janë proceduar penalisht 5 të tjerë, pasi drejtonin mjete, në gjendje të dehur ose pa leje drejtimi. Gjithashtu, është arrestuar 1 shtetas dhe janë proceduar penalisht 10 të tjerë pasi kanë shkelur rregullat e qarkullimit rrugor.

Strukturat e Policisë Kufitare kanë proceduar penalisht 5 shtetas për krime kundër personit, kalim të paligjshëm të kufirit dhe kontrabamdë mallrash.

Policia e Shtetit fton qytetarët të denoncojnë në numrin pa pagesë 112 çdo rast paligjshmërie, duke u garantuar reagim profesional, të shpejtë dhe anonimitet të sigurt.