Rezultatet kryesore të strukturave policore në vend dhe ngjarjet e ndodhura gjatë 24 orëve të fundit

Rezultatet kryesore të strukturave policore në vend dhe ngjarjet e ndodhura gjatë 24 orëve të fundit.

Si rezultat i punës hetimore dhe operacionale, janë finalizuar 3 operacione:

-2 operacione për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve. U arrestuan 2 shtetas, u sekuestruan rreth 830 gramë lëndë e dyshuar narkotike Kokainë, rreth 580 gramë lëndë e dyshuar narkotike Cannabis, shumë parash dhe 1 automjet, si dhe u asgjësuan bimë narkotike që ishin kultivuar në një zonë të pyllëzuar;

-1 operacion për goditjen e një skeme abuzimi me fondet e ndihmës ekonomike. U ekzekutuan masa sigurie për 6 shtetas, funksionarëve publikë dhe punonjës të institucioneve shtetërore.

Si rezultat i angazhimit të strukturave policore janë kapur/ndaluar 8 shtetas që ishin në kërkim për krime kundër personit/pronës, mashtrim dhe drejtim automjeti në mënyrë të parregullt.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 10 raste në të gjithë territorin, me 3 autorë të arrestuar dhe 5 të proceduar në gjendje të lirë. U asgjësuan bimë të dyshuara narkotike Cannabis Sativa.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 23 raste, me 26 autorë të proceduar në gjendje të lirë dhe 4 të shpallur në kërkim, ndërsa për 2 raste po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Gjithashtu, u vu në pranga 1 shtetas i cili dyshohet në mënyrë të përsëritur, ka kanosur, ka përndjekur fizikisht dhe nëpërmjet aplikacioneve të komunikimit, një shtetase dhe familjarë të saj.

Janë evidentuar 10 raste të dhunës në familje, me 3 autorë të arrestuar, 6 të proceduar në gjendje të lirë dhe 1 në kërkim, si dhe janë plotësuar 16 kërkesëpadi për urdhër mbrojtjeje.

Janë evidentuar 6 raste në fushën e krimeve ekonomiko-financiare, me 8 autorë që po proceedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ndaj pronës janë evidentuar 20 raste, me 2 autorë të arrestuar, 12 të proceduar në gjendje të lirë dhe 2 në kërkim, ndërsa për 4 raste po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve (njëri rast, djegia e një ekskavatori, gjatë natës, në Borsh).

Në fushën e krimeve kundër mjedisit është evidentuar 1 rast, me 1 autor të proceduar në gjendje të lirë.

Janë arrestuar 13 shtetas dhe janë proceduar në gjendje të lirë 5 të tjerë, pasi drejtonin mjetin, në gjendje të dehur/pa leje drejtimi. Gjithashtu, është arrestuar 1 shtetas dhe janë proceduar në gjendje të lirë 5 të tjerë, për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor. Në të gjithë territorin janë evidentuar 8 raste aksidentesh, me 12 shtetas të dëmtuar të cilët janë jashtë rrezikut për jetën.

Janë proceduar penalisht 11 shtetas, për vepra të ndryshme penale.

Strukturat e Policisë Kufitare kanë proceduar penalisht 4 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit, kontrabandë mallrash dhe trafikim të mjeteve motorike.

Interpol Tirana/U arrestua me qëllim ekstradimin në Gjermani, 1 shtetas i shpallur në kërkim ndërkombëtar, i cili është dënuar nga autoritetet gjyqësore në Gjermani, me 2 vjet e 6 muaj burgim, për veprat penale “Vjedhja me pasoja të rënda” dhe “Shkatërrimi i pronës me zjarr”, mbetur në tentativë.

Policia e Shtetit fton qytetarët që të denoncojnë në numrin pa pagesë 112, çdo rast paligjshmërie, duke iu garantuar reagim profesional, të shpejtë dhe anonimat të sigurt.

Mirditë/Mbrëmjen e djeshme, një punonjës i Policisë Ushtarake dyshohet se gjatë pastrimit të armës së shërbimit, në banesën e tij, ka dëmtuar aksidentalisht në gishtin e dorës. Ai mori mjekim në spital dhe është jashtë rrezikut për jetën.

Lidhur me denoncimin e një shtetasi të huaj në portalin “JOQ”, se është goditur me sende të forta nga disa shtetas, më datë 21.06.2026, në lagjen nr. 1, Sarandë, bëjmë me dije se shërbimet e Policisë, më datë 21.06.2026, sapo kanë marrë njoftim për këtë rast, kanë shkuar menjëherë në spitalin ku ai ishte paraqitur për të marrë mjekim. Shërbimet e Policisë kanë komunikuar me shtetasin e huaj (i dëmtuar lehtë), i cili ka deklaruar se nuk donte të bënte kallëzim për rastin. Pavarësisht kësaj, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Sarandë kanë nisur veprime hetimore për rastin dhe materialet procedurale i kanë referuar në Prokurori, për veprën penale “Plagosja e lehtë me dashje”. Vijon puna për identifikimin dhe kapjen e autorëve.