Rezultatet kryesore të strukturave policore në vend dhe ngjarjet e ndodhura gjatë 24 orëve të fundit

Si rezultat i punës hetimore dhe operacionale, janë finalizuar 3 operacione:

-1 operacion për goditjen e veprimtarisë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike, me 2 autorë të arrestuar;

-1 operacion për zbardhjen e një vjedhjeje me mjete prerëse, kryer gjatë natës, në një banesë. U arrestuan 2 shtetas, u shpall në kërkim bashkëpunëtori;

-1 operacion për zbulimin e një ambienti ku ushtrohej prostitucion. U arrestuan 2 shtetas dhe u procedua në gjendje të lirë 1.

 

Si rezultat i angazhimit të strukturave policore janë kapur/ndaluar 8 shtetas që ishin në kërkim për krime kundër personit/pronës, veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve dhe drejtim automjeti në mënyrë të parregullt.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 9 raste në të gjithë territorin, me 3 autorë të arrestuar dhe 3 të proceduar në gjendje të lirë, ndërsa për 4 raste po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Në lidhje me rastet e kultivimit të bimëve narkotike në 4 fshatra, u proceduan penalisht 4 kryepleqtë e këtyre fshatrave, për shpërdorim detyre.

U sekuestruan sasi të lëndëve të dyshuara narkotike Kokainë dhe Cannabis, fara Cannabisi, si dhe u agjësuan bimë narkotike.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 18 raste, me 1 autor të arrestuar dhe 23 të proceduar në gjendje të lirë. Gjithashtu, është arrestuar 1 shtetas i dyshuar për ngacmim seksual.

Janë evidentuar 9 raste të dhunës në familje, me 1 autor të arrestuar dhe 8 të proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 6 kërkesëpadi për urdhër mbrojtjeje.

Janë evidentuar 2 raste në fushën e krimeve ekonomiko-financiare, me 2 autorë që po proceedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste në fushën e krimeve kibernetike, njëri rast me 1 autor të proceduar në gjendje të lirë, ndërkohë po punohet për kapjen dhe identifikimin e autorit të rastit tjetër.

Në fushën e krimeve ndaj pronës janë evidentuar 11 raste, me 1 autor të arrestuar, 5 të proceduar në gjendje të lirë dhe 1 në kërkim, ndërsa për 4 raste po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Punohet për identifikimin dhe kapjen e një shtetasi që ka xhyer xhamat e derës së një dyqani të një kompanie telefonike.

Në fushën e krimeve kundër mjedisit janë evidentuar 4 raste, me 5 autorë të proceduar në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i mosbindjes ndaj urdhrit të punonjësve të Policisë, me 1 autor të proceduar në gjendje të lirë.

Janë arrestuar 5 shtetas dhe janë proceduar në gjendje të lirë 7 të tjerë, pasi drejtonin mjetin, në gjendje të dehur/pa leje drejtimi. Gjithashtu, është arrestuar 1 shtetas dhe janë proceduar në gjendje të lirë 4 të tjerë, për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor. Në të gjithë territorin janë evidentuar 9 raste aksidentesh, me 15 shtetas të dëmtuar të cilët janë jashtë rrezikut për jetën.

Janë proceduar penalisht 19 shtetas, për vepra të ndryshme penale.

Strukturat e Policisë Kufitare kanë proceduar penalisht 5 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit, njërin prej tyre edhe për mosbindje ndaj urdhrit të punonjësit të Policisë.

Interpol Tirana/U ekstradua në Kazakistan, 1 shtetas në kërkim ndërkombëtar, për të cilin Gjykata për Hetimet Speciale e Almaty, Kazakistan, kishte nxjerrë urdhër arresti ndërkombëtar, për veprën penale “Mashtrimi”, si dhe deportua nga Gjermania, 1 shtetas i shpallur në kërkim ndërkombëtar, të cilin Gjykata e Tiranës e ka dënuar me 4 muaj burgim për veprën penale “Vjedhja”.

Policia e Shtetit fton qytetarët që të denoncojnë në numrin pa pagesë 112, çdo rast paligjshmërie, duke iu garantuar reagim profesional, të shpejtë dhe anonimat të sigurt.