Si rezultat i punës hetimore dhe operacionale, janë finalizuar 3 operacione:
– 1 për kapjen dhe ndalimin e një personi në kërkim me rrezikshmëri të lartë shoqërore;
– 1 për goditjen e veprimtarisë kriminale të kontrabandës së mallrave. Është arrestuar 1 shtetas dhe 1 tjetër është proceduar në gjendje të lirë. Janë sekuestruar 798 steka cigare, 1 armë zjarri dhe 1 automjet;
– 1 për goditjen e veprimtarisë kriminale të shpërndarjes së lëndëve narkotike. Janë arrestuar 2 shtetas dhe janë proceduar në gjendje të lirë 2 të tjerë. Është sekuestruar lëndë narkotike kanabis e ndarë në doza, 1 automjet dhe një sasi municioni luftarak.
Gjithashtu, është zbardhur një ngjarje kriminale për veprat penale “Vrasja me dashje” dhe “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta”, me 1 shtetas të arrestuar, si dhe është kapur 1 shtetas tjetër që ishte shpallur në kërkim për veprën penale “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt”.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 15 raste në të gjithë territorin, me 6 autorë të arrestuar dhe 8 autorë të proceduar në gjendje të lirë, ndërsa për 1 rast po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Gjithashtu, janë proceduar penalisht 2 shtetas, me detyra kryeplaku fshati dhe inspektor pyjesh, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, pasi dyshohet se nuk kanë raportuar për një rast të kultivimit të bimëve narkotike. Janë sekuestruar sasi të lëndëve narkotike kokainë dhe kanabis, si dhe janë asgjësuar bimë dhe fidanë narkotikë kanabisi.
Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 8 raste, me 2 autorë të arrestuar, 7 autorë të proceduar në gjendje të lirë dhe 1 autor të shpallur në kërkim.
Është proceduar në gjendje të lirë administratori i një subjekti, për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, pasi dje një punonjës, duke punuar, ka rënë aksidentalisht nga një lartësi dhe, për pasojë, është dëmtuar. Ai ndodhet në kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.
Në fushën e krimeve kundër pronës janë evidentuar 2 raste, për të cilat po punohet për identifikimin e autorit/autorëve.
Janë evidentuar 7 raste të dhunës në familje, me 2 autorë të arrestuar, 4 autorë të proceduar në gjendje të lirë dhe 1 autor të shpallur në kërkim, si dhe janë plotësuar 7 kërkesëpadi për urdhër mbrojtjeje.
Është evidentuar 1 rast në fushën e krimeve kompjuterike/kibernetike, me 2 shtetas të shpallur në kërkim.
Janë evidentuar 3 raste të krimeve kundër mjedisit, me 3 autorë të proceduar në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 2 raste vjedhjeje, me 2 autorë të proceduar në gjendje të lirë.
Janë arrestuar 10 shtetas dhe janë proceduar penalisht 2 të tjerë, pasi drejtonin mjetin në gjendje të dehur ose pa leje drejtimi. Gjithashtu, janë arrestuar 2 shtetas për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor. Në të gjithë territorin janë evidentuar 6 raste aksidentesh, me 1 shtetas që ka humbur jetën dhe 6 shtetas të dëmtuar, të cilët ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Janë proceduar penalisht 25 shtetas, për vepra të ndryshme penale.
Strukturat e Policisë Kufitare kanë arrestuar 1 shtetas me qëllim ekstradimi, i cili ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Hildesheim-it, Gjermani, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”.
Gjithashtu, kanë ndëshkuar me masë administrative 530.000 lekë të rinj drejtuesin e një mjeti lundrues, i cili gjatë lundrimit ishte futur në perimetrin e sigurisë.
Policia e Shtetit fton qytetarët të denoncojnë në numrin pa pagesë 112 çdo rast paligjshmërie, duke iu garantuar reagim profesional, të shpejtë dhe anonimat të sigurt.
—
Durrës / Informacion paraprak
Rreth orës 10:35, në lagjen nr. 13, Durrës, gjatë kohës që po lahej në det, dyshohet se është mbytur aksidentalisht një 11-vjeçar, banues në Tiranë. Grupi hetimor vijon punën për sqarimin dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes, si dhe për përcaktimin e shkakut të mbytjes.
