Rezultatet kryesore të strukturave policore në vend dhe ngjarjet e ndodhura gjatë 24 orëve të fundit

Si rezultat i punës hetimore dhe operacionale janë finalizuar 5 operacione:

2 operacione për kapjen dhe ndalimin e shtetasve të shpallur në kërkim në fushën e mashtrimit me kredi dhe kultivimit të bimëve narkotike.

-1 operacion goditjen e veprimtarisë kriminale të ushtrimit të prostitucionit. Janë arrestuar në flagrancë 2 shtetase të huaja.

-1 për goditjen e veprimtarisë kriminale të kontrabandës dhe vjedhjes së sendeve me vlerë dhe veprave të artit/objekteve arkeologjike. Janë proceduar 7 shtetas, 1 është ndaluar dhe 1 është shpallur në kërkim. Janë sekuestruar sasi të konsiderueshme ari dhe argjendi, bizhuteri të ndryshme, vlera monetare në valuta të ndryshme, si dhe objekte arkeologjike.

-1 operacion për nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të autorëve të një sërë vjedhjesh në qytet gjatë muajve të fundit, me 1 autor të arrestuar.

Gjithashtu, janë kapur 4 shtetas të tjerë të shpallur në kërkim për narkotikë dhe dhunë në familje.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 13 raste, me 1 të arrestuar dhe 10 të proceduar në gjendje të lirë, ndërsa për 2 raste po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë sekuestruar sasi kokainë dhe cannabis sativa, si dhe janë asgjësuar bimë narkotike.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 9 raste me 10 autorë të proceduar në gjendje të lirë. Është shpallur në kërkim 1 shtetas për goditje ndaj një punonjësi të UKT-së.

Është arrestuar 1 shtetas dhe janë proceduar 2 të tjerë për shkelje të rregullave të mbrojtjes në punë.

Në fushën e krimeve kundër pronës janë evidentuar 4 raste, me 1 të ndaluar, 2 të proceduar dhe 1 në kërkim.

Janë evidentuar 4 raste të dhunës në familje, me 1 të arrestuar dhe 6 të proceduar, si dhe 4 kërkesëpadi për urdhër mbrojtjeje. Është proceduar 1 shtetas për shkelje të urdhrit të mbrojtjes.

Është evidentuar 1 rast për marrëdhënie seksuale me dhunë me të rritur, me 1 të arrestuar dhe 1 rast për vepra të turpshme, me 1 të arrestuar.

Në fushën e krimeve ekonomiko-financiare janë evidentuar 4 raste, me 6 të proceduar dhe 1 të shpallur në kërkim.

Në fushën e krimeve kibernetike janë evidentuar 4 raste, me 3 të shpallur në kërkim dhe 1 të proceduar.

Në fushën e krimeve kundër mjedisit janë evidentuar 10 raste, me 10 të proceduar.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë zbardhur 12 vjedhje të xhirove ditore në subjekte biznesi dhe është arrestuar autori i dyshuar.

Janë arrestuar 5 shtetas dhe janë proceduar 10 të tjerë për drejtim mjeti në gjendje të dehur/pa leje drejtimi dhe shkelje  të rregullave të qarkullimit rrugor. Janë evidentuar 6 aksidente, me 1 humbje jete dhe 5 të plagosur jashtë rrezikut për jetën.

Janë proceduar 18 shtetas për vepra të ndryshme penale.

Policia Kufitare ka proceduar 2 shtetas për trafikim mjetesh pa dokumentacion dhe ka asistuar 2 raste me turistë të huaj në nevojë.

Policia e Shtetit fton qytetarët të denoncojnë në 112 çdo rast paligjshmërie.