Rezultatet kryesore të strukturave policore në vend dhe ngjarjet e ndodhura gjatë 24 orëve të fundit

Rezultatet kryesore të strukturave policore në vend dhe ngjarjet e ndodhura gjatë 24 orëve të fundit

Si rezultat i punës hetimore dhe operacionale, janë finalizuar 7 operacione, për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, armëmbajtjes pa leje, prostitucionit, si dhe për zbardhjen e vjedhjeve. Gjatë operacioneve janë arrestuar/ndaluar 11 shtetas, janë proceduar në gjendje të lirë 4 shtetas dhe është shpallur në kërkim 1, si dhe janë sekuestruar 2 armë zjarri, municion luftarak, lëndë narkotike Kokainë dhe Cannabis Sativa, bimë narkotike Cannabis Sativa, pajisje kompjuterike dhe shuma parash.

Janë kapur 3 shtetas në kërkim për mashtrim kompjuterik dhe dhunë në familje.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 8 raste në të gjithë territorin, me 3 autorë të arrestuar dhe 4 të proceduar në gjendje të lirë, ndërsa për 2 raste po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Janë sekuestruar sasi të lëndëve narkotike Kokainë dhe Cannabis Sativa, si dhe janë asgjësuar rreth 2400 fidanë dhe bimë narkotike Cannabis Sativa.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 17 raste, me 1 autorë të arrestuar, 19 të proceduar në gjendje të lirë dhe 9 në kërkim, ndërsa për 1 rast po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit. Gjithashtu, po punohet për kapjen e një shtetasi që dyshohet se i ka marrë me forcë varësen e floririt, një shtetasi.

Janë evidentuar 4 raste të dhunës në familje, me 3 autorë të proceduar në gjendje të lirë dhe 1 në kërkim, si dhe janë plotësuar 6 kërkesëpadi për urdhër mbrojtjeje.
Janë evidentuar 2 raste të ngacmimit seksual, me 1 autor të arrestuar dhe 1 të proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 4 raste në fushën e krimeve ekonomiko-financiare, me 4 autorë të proceduar në gjendje të lirë dhe 1 në kërkim.

Në fushën e krimeve ndaj pronës janë evidentuar 8 raste, me 1 autor të arrestuar, 5 të proceduar në gjendje të lirë dhe 1 në kërkim, ndërsa për 1 rast po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë evidentuar 7 raste të krimeve kundër mjedisit, me 7 autorë të proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e armëmbajtjes pa leje janë goditur 4 raste, me 1 autor të arrestuar dhe 3 të proceduar në gjendje të lirë.

Janë proceduar penalisht 1 shtetas që nuk i është bindur urdhrit të punonjësve të Policisë dhe 1 shtetas që ka kanosur punonjësin e një institucioni, për shkak të detyrës.

Janë arrestuar 11 shtetas dhe janë proceduar në gjendje të lirë 7 të tjerë, pasi drejtonin mjetin, në gjendje të dehur/pa leje drejtimi. Gjithashtu, është arrestuar 1 shtetas dhe janë proceduar 4 të tjerë, për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor. Në të gjithë territorin janë evidentuar 6 raste aksidentesh, me 9 shtetas të dëmtuar të cilët janë jashtë rrezikut për jetën.

Janë proceduar penalisht 12 shtetas dhe është shpallur në kërkim 1, për vepra të ndryshme penale.

Strukturat e Policisë Kufitare kanë proceduar penalisht 2 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.

Policia e Shtetit fton qytetarët që të denoncojnë në numrin pa pagesë 112, çdo rast paligjshmërie, duke iu garantuar reagim profesional, të shpejtë dhe anonimat të sigurt.

DVP Korçë/Në lidhje me një video të publikuar në një rrjet social, ku shfaqet një automjet që shtyp një kafshë shtëpiake qen, në një rrugicë të qytetit të Korçës, bëjmë me dije se specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Korçë kanë identifikuar dhe shpallur në kërkim drejtuesin e automjetit që shfaqet në video, shtetasin Gj. Ç., 59 vjeç, banues në Korçë. Vijon puna për kapjen e tij. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprën penale “Vrasja me dashje e kafshës së shoqërimit”, mbetur në tentativë.