Rezultatet kryesore të strukturave policore në vend dhe ngjarjet e ndodhura gjatë 24 orëve të fundit
Si rezultat i punës hetimore dhe operacionale, janë finalizuar 2 operacione për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e kundër personit, fushën e narkotikëve dhe armëmbajtjes pa leje. U arrestuan/ndaluan 7 shtetas, u sekuestruan 5 armë zjarri, municion luftarak, 5 automjete, njëri prej tyre i blinduar, celularë dhe shumë parash.
Është kapur dhe arrestuar me qëllim ekstradimin në Poloni, 1 shtetas në kërkim ndërkombëtar, i dënuar nga Gjykata e Qarkut Wejherowo, Poloni, me 2 vjet burgim, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.
Gjithashtu, janë kapur 5 shtetas në kërkim për krime kundër personit, shpërdorim detyre, moskallëzim krimi dhe vjedhje.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 25 raste në të gjithë territorin, me 4 autorë të arrestuar, 17 të proceduar në gjendje të lirë, ndërsa për 3 raste po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Janë sekuestruar sasi të lëndëve të ndryshme narkotike, si dhe janë asgjësuar rreth 370 bimë narkotike Cannabis Sativa.
Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 13 raste, me 1 autor të arrestuar dhe 19 të proceduar në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 6 raste të dhunës në familje, me 1 autor të arrestuar dhe 5 të proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 12 kërkesëpadi për urdhër mbrojtjeje.
Është ndaluar 1 shtetas i dyshuar për ngacmim seksual.
Janë evidentuar 2 raste të thyerjes së masës së sigurisë “Arrest në shtëpi”, me 1 autor të ndaluar dhe 1 të shpallur në kërkim.
Janë evidentuar 9 raste në fushën e krimeve ekonomiko-financiare, me 1 autor të arrestuar, 8 autorë të proceduar në gjendje të lirë dhe 2 në kërkim.
Në fushën e krimeve ndaj pronës janë evidentuar 11 raste, me 2 autorë të arrestuar, 5 të proceduar në gjendje të lirë dhe 2 në kërkim, ndërsa për 3 raste po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve, konkretisht për identifikimin dhe kapjen e autorëve të vjedhjes së 500 eurove në automjetin e dy shtetasve të huaj, ndërkohë që ata kanë qënë duke fjetur në automjet, gjatë orëve të para të mëngjesit, si dhe të autorëve të vjedhjes së një celulari dhe të vjedhjes në një subjekt.
Janë evidentuar 3 raste të krimeve kundër mjedisit, me 3 autorë të proceduar në gjendje të lirë.
Janë proceduar në gjendje të lirë 5 shtetas, për kundërshtim/mosbindje ndaj urdhrit të punonjësit të Policisë.
Janë arrestuar 2 shtetas dhe janë proceduar në gjendje të lirë 9 të tjerë, pasi drejtonin mjetin, në gjendje të dehur/pa leje drejtimi. Gjithashtu, është arrestuar 1 shtetas dhe janë proceduar në gjendje të lirë 7 shtetas, për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor. Në të gjithë territorin janë evidentuar 6 raste aksidentesh, me 7 shtetas të dëmtuar të cilët janë jashtë rrezikut për jetën.
Janë proceduar penalisht 13 shtetas, për vepra të ndryshme penale.
Strukturat e Policisë Kufitare kanë proceduar penalisht 3 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.
Policia e Shtetit fton qytetarët që të denoncojnë në numrin pa pagesë 112, çdo rast paligjshmërie, duke iu garantuar reagim profesional, të shpejtë dhe anonimat të sigurt.
Vlorë/Informacion paraprak
Rreth orës 07:00, në aksin rrugor “Vlorë-Orikum”, në Radhimë, automjeti me drejtues shtetasin V. R., 32 vjeç, është përplasur me automjetin me drejtues shtetasin F. K., rreth 35 vjeç dhe me automjetin me drejtues shtetasin A. M., 31 vjeç. Pas përplasjes, automjetet janë përfshirë nga flakët.
Si pasojë e aksidentit ka humbur jetën shtetasi F. K.
Gjithashtu, janë dëmtuar 3 pasagjerë (shtetas të huaj) në automjetin me drejtues shtetasin A. M., të cilët janë transportuar në spital, për ndihmë mjekësore.
2 drejtuesit e automjeteve, shtetasit V. R. dhe A. M., janë shoqëruar në Komisariat, për veprime procedurale.
Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të aksidentit.
