Rezultatet kryesore të strukturave policore në vend dhe ngjarjet e ndodhura gjatë 24 orëve të fundit

Vijojnë kontrollet në territor, si dhe puna hetimore dhe operacionale, me qëllim parandalimin dhe goditjen e paligjshmërive.

Janë finalizuar 3 operacione policore në Tiranë dhe Fier, për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e armëmbajtjes pa leje, vjedhjes dhe prostitucionit.

Janë kapur/ndaluar 2 shtetas që ishin në kërkim për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 8 raste në të gjithë territorin, me 8 autorë të proceduar në gjendje të lirë. Gjithashtu, janë sekuestruar sasi të lëndëve të dyshuara narkotike, cannabis sativa dhe kokainë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 10 raste, me 9 autorë, nga të cilët 3 janë ndaluar për thyerje të masës së sigurisë, për marrëdhënie seksuale me të mitur dhe për përndjekje, 7 janë proceduar në gjendje të lirë dhe 1 është shpallur në kërkim për përdorim të targave plastike dhe mbajtje të fenelinave si ato të Policisë.

Gjithashtu, u ekzekutua vendimi penal i Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për shtetasin L. K., 27 vjeç, banues në Bulqizë, ndaj të cilit kjo gjykatë ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Prishja e qetësisë publike”.

Në Durrës, u arrestuan shtetasit E. L., 27 vjeç, dhe A. D., 37 vjeç, të dy banues në Tiranë, për veprën penale “Goditje për shkak të detyrës”, si dhe u proceduan në gjendje të lirë 9 shtetas, nga të cilët 8 banues në Tiranë dhe 1 në Fier, për veprën penale “Prishja e qetësisë publike”.

Në fushën e krimeve kundër pronës janë evidentuar 2 raste, me 2 autorë të proceduar në gjendje të lirë.

Në Vlorë u proceduan në gjendje të lirë 2 shtetas, pasi gjatë ditëve të fundit kanë intensifikuar thirrjet publike, ndërsa ditën e djeshme, në “Sheshin e Flamurit”, kanë organizuar një tubim, gjatë të cilit kanë bërë thirrje publike për kryerjen e veprimeve të dhunshme, me qëllim pengimin dhe prishjen e ceremonisë së ngritjes simbolike të Flamurit Kombëtar.

Ndërkohë, pas kallëzimit të një shtetasi se në oborrin e banesës së tij, në Mamurras, ishte konstatuar një objekt i dyshuar si lëndë plasëse, ai u hoq pa probleme nga ekspertët e njësisë xheniere.

Janë evidentuar 6 raste të dhunës në familje, me 2 autorë të arrestuar, 2 të proceduar në gjendje të lirë dhe 2 në kërkim. Gjithashtu, janë plotësuar 5 kërkesëpadi për lëshimin e urdhrave të mbrojtjes.

Janë evidentuar 2 raste të krimeve kundër mjedisit, me 2 autorë të proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 4 raste në fushën e vjedhjes, me 1 autor të arrestuar dhe 2 të proceduar në gjendje të lirë, ndërsa për 1 rast po punohet për identifikimin e autorit/autorëve.

Janë proceduar penalisht 10 shtetas dhe 1 tjetër është shpallur në kërkim, për vepra të ndryshme penale.

Janë arrestuar 5 shtetas dhe janë proceduar penalisht 7 të tjerë, pasi drejtonin automjete në gjendje të dehur ose pa leje drejtimi. Gjithashtu, janë proceduar penalisht 2 shtetas, pasi kanë shkelur rregullat e qarkullimit rrugor.

Në Tiranë u arrestuan shtetasit:

\- F. B., 18 vjeç, pasi ditën e djeshme, në aksin rrugor “Fushë-Krujë–Thumanë”, duke drejtuar automjetin, ka aksidentuar këmbësorin, shtetasin P. F., 65 vjeç, i cili, si pasojë e aksidentit, ka humbur jetën;

\- A. F., 35 vjeç, pasi ditën e djeshme, në Rrugën e Arbrit, duke drejtuar automjetin, është përfshirë në një aksident rrugor me automjetin me drejtues shtetasin B. O., 44 vjeç. Si pasojë e aksidentit, kanë humbur jetën shtetasi B. O., 44 vjeç, dhe shtetasja M. F., 33 vjeçe, pasagjere në automjetin me drejtues A. F. Gjithashtu, janë dëmtuar 5 shtetas të tjerë, të cilët ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Në Vlorë, rreth orës 00:20, në Spitalin Rajonal është paraqitur shtetasja M. L., 55 vjeçe (shtetase e huaj), e cila dyshohet se ka konsumuar një sasi medikamentesh në banesën e saj. Aktualisht, ajo ndodhet e shtruar në Spitalin Rajonal Vlorë, nën kujdesin e mjekëve.

Policia e Shtetit fton qytetarët të denoncojnë në numrin pa pagesë 112 çdo rast paligjshmërie, duke u garantuar reagim profesional dhe të shpejtë, si dhe anonimitet të sigurt