Vijojnë kontrollet në territor, puna hetimore dhe operacionale, me qëllim parandalimin dhe goditjen e paligjshmërive.
Si rezultat i punës hetimore dhe operacionale, janë finalizuar 2 operacione për goditjen e veprimtarisë kriminale të prodhimit dhe shitjes së dokumenteve të falsifikuara dhe për zbardhjen e vjedhjeve.
Janë kapur 5 shtetas të shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 11 raste, me 1 shtetas të arrestuar dhe 12 të proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 8 raste, me 8 shtetas të proceduar në gjendje të lirë. Gjithashtu, u arrestua në flagrancë 1 shtetas, pasi ka kanosur një shtetase për t’i marrë një shumë parash, që të mos i publikonte videot.
Janë evidentuar 2 raste të dhunës në familje, me 3 shtetas të proceduar në gjendje të lirë. Gjithashtu, janë plotësuar 9 kërkesëpadi për lëshimin e urdhrave të mbrojtjes.
Në fushën e krimeve kundër pronës janë evidentuar 10 raste, me 1 shtetas të arrestuar, 5 të proceduar në gjendje të lirë dhe 3 të shpallur në kërkim, ndërsa për 1 rast po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Në fushën e krimeve kundër mjedisit janë evidentuar 3 raste, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë, ndërsa për 1 rast po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Për një rast të ndërtimit të paligjshëm në zonë të mbrojtur, në Kukës, u procedua në gjendje të lirë roja mjedisore, për shpërdorim detyre.
Në fushën e krimeve ekonomike janë evidentuar 5 raste, me 5 shtetas të proceduar në gjendje të lirë. Gjithashtu, është evidentuar 1 rast i prostitucionit, me 1 shtetase të proceduar në gjendje të lirë.
Janë arrestuar 3 shtetas dhe janë proceduar penalisht 5 të tjerë, pasi drejtonin mjete në gjendje të dehur dhe/ose pa leje drejtimi.
Janë proceduar penalisht 10 shtetas për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor, si dhe po punohet për identifikimin dhe kapjen e një shtetasi që është larguar nga vendi i aksidentit.
Është arrestuar 1 shtetas, për goditje për shkak të detyrës dhe janë proceduar në gjendje të lirë 3 të tjerë, për mosbindje ndaj urdhrit të punonjësit të Policisë. Njërit prej tyre iu gjet lëndë narkotike kanabis.
Janë proceduar në gjendje të lirë 9 shtetas, për vepra të ndryshme penale.
Policia e Shtetit fton qytetarët të denoncojnë në numrin pa pagesë 112 çdo rast paligjshmërie, duke garantuar reagim profesional dhe të shpejtë, si dhe ruajtjen e anonimatit.
