Si rezultat i angazhimit të strukturave policore, janë finalizuar 4 operacione policore të koduara, dy për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve dhe lojërave të fatit, një për zbardhjen e një vjedhjeje me dhunë dhe një për kapjen e një personi në kërkim ndërkombëtar nga Italia për “Korrupsion”. Në një nga operacionet, dy agjentë policie u lënduan jashtë rrezikut për jetën si pasojë e përplasjes së automjetit të tyre nga një automjet tjetër, drejtuesi i të cilit u arrestua më pas për veprimtari kriminale në fushën narkotikëve dhe lojërave të fatit.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 30 raste në të gjithë territorin, me 16 autorë të arrestuar, 13 autorë të proceduar në gjendje të lirë dhe 1 autor në kërkim.
Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 4 raste, me 1 autor të arrestuar dhe 3 autorë të proceduar në gjendje të lirë. Gjithashtu, u bë ekzekutimi i urdhrit të ndalimit për një shtetas i cili ishte shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan i ka caktuar masën e sigurimit “Arrest në burg”, për veprën penale “Vrasja me dashje”, mbetur në tentativë.
Janë evidentuar 12 raste të dhunës në familje, me 4 autorë të arrestuar dhe 8 autorë të proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 5 kërkesëpadi për urdhër mbrojtjeje.
Në fushën e krimeve ndaj pronës janë evidentuar 2 raste, me 2 autorë të proceduar në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 4 raste të krimeve kundër mjedisit, me 4 autorë të proceduar në gjendje të lirë.
Janë arrestuar 6 shtetas, pasi drejtonin automjetin në gjendje të dehur ose pa leje drejtimi. Gjithashtu, janë proceduar penalisht 8 shtetas, për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor. Në të gjithë territorin janë evidentuar 4 raste aksidentesh, me 5 shtetas të dëmtuar, të cilët ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Janë proceduar penalisht për vepra të ndryshme penale 14 shtetas.
Policia e Shtetit fton qytetarët që të denoncojnë në numrin pa pagesë 112, çdo rast paligjshmërie, duke iu garantuar reagim profesional, të shpejtë dhe anonimat të sigurt.
—–
Tiranë/Informacione paraprake.
-Më datë 26.05.2026, rreth orës 23:55, është paraqitur në spital për ndihmë mjekësore, i plagosur në këmbë, dyshohet me armë zjarri, shtetasi J. H., rreth 34 vjeç, i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Nga veprimet e para hetimore dyshohet se plagosja ka ndodhur në rrugën “Aleksandër Moisiu”, gjatë një konflikti të çastit për motive të dobëta. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon punën për zbardhjen e rrethanave, identifikimin dhe kapjen e autorit/ve.
-Më datë 27.05.2026, rreth orës 07:05, në banesën e tij, në Rrugën e Dibrës, është konstatuar pa shenja jete shtetasi A. G., rreth 42 vjeç, punonjës i Gardës. Nga veprimet e para hetimore dyshohet se ka vrarë veten me armën e shërbimit. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po kryen veprimet për sqarimin dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të rastit.
