Rezultatet kryesore të strukturave policore në vend dhe ngjarjet e ndodhura gjatë 24 orëve të fundit

Vijojnë kontrollet në territor, si dhe puna hetimore dhe operacionale, me qëllim parandalimin dhe goditjen e paligjshmërive.

Janë finalizuar 3 operacione policore në Elbasan, Shkodër dhe Fier, për zbardhjen e një ngjarjeje me lëndë plasëse, si dhe për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve dhe armëmbajtjes pa leje.

Janë kapur/ndaluar 2 shtetas që ishin në kërkim për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 13 raste në të gjithë territorin, me 2 autorë të arrestuar dhe 12 të proceduar në gjendje të lirë. Gjithashtu, janë sekuestruar sasi të lëndëve të dyshuara narkotike, cannabis sativa dhe kokainë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 3 raste, me 2 autorë të proceduar në gjendje të lirë, ndërsa për 1 rast po punohet për identifikimin e autorit/ëve.

Gjithashtu, u proceduan penalisht në gjendje të lirë 3 shtetas, dy pasi nuk i janë bindur urdhrit të punonjësit të Policisë dhe tjetri pasi dyshohet se ka përndjekur në mënyrë të vazhdueshme një shtetase.

Në Lezhë, u procedua në gjendje të lirë 1 shtetas, pasi, gjatë një konflikti për kullotat, dyshohet se ka kanosur me armën e gjahut (çifte) një shtetas tjetër. Arma e gjahut, të cilën e posedonte me leje, u bllokua në cilësinë e provës materiale.

Janë arrestuar 2 shtetas që kanë thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”.

Në fushën e krimeve kundër pronës janë evidentuar 4 raste, me 2 autorë të proceduar në gjendje të lirë dhe 1 në kërkim, ndërsa për 1 rast po punohet për identifikimin e autorit/ëve.

Janë evidentuar 5 raste të dhunës në familje, me 2 autorë të arrestuar dhe 3 të proceduar në gjendje të lirë. Gjithashtu, janë plotësuar 2 kërkesëpadi për lëshimin e urdhrave të mbrojtjes.

Janë evidentuar 9 raste të krimeve kundër mjedisit, me 9 autorë të proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste në fushën e krimeve kompjuterike/kibernetike, me 1 autor të proceduar në gjendje të lirë, ndërsa për 1 rast vijon puna për identifikimin e autorit/ëve.

Janë evidentuar 2 raste në fushën e krimeve ekonomiko-financiare, me 1 autor të arrestuar dhe 1 të proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste në fushën e vjedhjes: në 1 rast është proceduar penalisht 1 autor në gjendje të lirë, ndërsa në rastin tjetër, në fushën e vjedhjes së energjisë elektrike, është proceduar penalisht për shpërdorim detyre 1 punonjës i OSHEE-së.

Janë proceduar penalisht 14 shtetas për vepra të ndryshme penale.

Janë arrestuar 6 shtetas dhe janë proceduar penalisht 2 të tjerë, pasi drejtonin automjete në gjendje të dehur ose pa leje drejtimi. Gjithashtu, janë proceduar penalisht 2 shtetas, pasi kanë shkelur rregullat e qarkullimit rrugor, si dhe është evidentuar 1 rast i largimit nga vendi i aksidentit, për të cilin po punohet për identifikimin e autorit/ëve.

Në Tiranë, u arrestua shtetasi A. F., 24 vjeç, pasi, duke drejtuar automjetin në rrugën “Dritan Hoxha”, përballë “Bllokut Gintash”, ka përplasur këmbësoren, shtetasen B. F., 57 vjeçe, e cila ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve.

-Në Shkodër, u ekzekutua urdhri i Prokurorit, në zbatim të vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për shtetasin S. K., 33 vjeç, banues në fshatin Gruemirë Çezmë, Malësi e Madhe, i dënuar me 5 vite burgim për veprat penale “Dhuna në familje” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municioneve”, të cilit i kanë mbetur për të vuajtur edhe 8 muaj e 14 ditë burgim.

-Në Shkodër, ka kallëzuar shtetasi A. L., 51 vjeç, se vajza e tij, shtetasja S. L., 19 vjeçe, është larguar nga banesa më datë 04.11.2026. Punohet për gjetjen e saj.

-Reagim i DVP Lezhë/ Në lidhje me pamjet filmike të transmetuara në emisionin investigativ “Fiks Fare”, ku një subjekt privat në Lezhë shfaqet duke shkarkuar në mënyrë të pakontrolluar ujërat e zeza, duke shkaktuar ndotje të ajrit dhe ujërave në zonë, bëjmë me dije se nga veprimet procedurale të kryera nga specialistët për Hetimin e Krimeve në DVP Lezhë, janë referuar materialet në Prokurori, ku ka nisur procedimi penal për shtetasin A. Z., 57 vjeç, banues në Lezhë, pronar i fabrikës, për veprën penale “Ndotja e ajrit, e ujërave dhe e tokës”.

Policia e Shtetit fton qytetarët të denoncojnë në numrin pa pagesë 112 çdo rast paligjshmërie, duke u garantuar reagim profesional dhe të shpejtë, si dhe anonimitet të sigurt