Vijojnë kontrollet në territor, puna hetimore dhe operacionale, me qëllim parandalimin dhe goditjen e paligjshmërive.
Si rezultat i punës hetimore dhe operacionale, janë finalizuar 3 operacione për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve dhe prostitucionit, si dhe për kapjen e shtetasve në kërkim ndërkombëtar.
Janë kapur 4 shtetas të shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 8 raste, me 8 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 13 raste, me 1 shtetas të arrestuar, 16 të proceduar në gjendje të lirë dhe 4 në kërkim.
Ndërkohë, në Vlorë, u ndalua shtetasi A. A., 35 vjeç, banues në Vlorë, mësues i edukimit fizik në një shkollë, pasi kanë kallëzuar 7 nxënëse të kësaj shkolle, të moshave 14–17 vjeçe, se ky shtetas i ka ngacmuar seksualisht në ambientet e shkollës.
Dibër/ U procedua në gjendje të lirë për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, shtetasi B. D., 59 vjeç, banues në fshatin Renx, Dibër, me detyrë përgjegjës i nënstacionit elektrik në fshatin Fushë-Alie, pasi dje, shtetasi L. Sh., 56 vjeç, elektricist, humbi jetën gjatë punës për vendosjen e një shtylle elektrike, e cila u rrëzua dhe e zuri poshtë.
Në fushën e krimeve kundër pronës janë evidentuar 4 raste, me 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë dhe 1 në kërkim, ndërsa për 2 raste po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit/autorëve.
Në fushën e krimeve kundër mjedisit janë evidentuar 11 raste, me 1 shtetas të arrestuar dhe 10 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 5 raste të dhunës në familje, me 4 shtetas të arrestuar dhe 1 të proceduar në gjendje të lirë, njëri prej të cilëve ka thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”. Gjithashtu, janë plotësuar 6 kërkesëpadi për lëshimin e urdhrave të mbrojtjes.
Në fushën e krimeve ekonomike janë evidentuar 6 raste, me 5 shtetas të proceduar në gjendje të lirë dhe 1 në kërkim.
Në fushën e krimeve kibernetike janë evidentuar 3 raste, me 3 shtetas të proceduar në gjendje të lirë, ndërsa për 1 rast po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Janë arrestuar 8 shtetas dhe janë proceduar penalisht 6 shtetas, pasi drejtonin mjete në gjendje të dehur dhe/ose pa leje drejtimi. Gjithashtu, njëri prej tyre nuk i është bindur urdhrit të punonjësve të Policisë.
Është arrestuar 1 shtetas dhe janë proceduar penalisht 2 të tjerë, për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor, si dhe është proceduar penalisht 1 shtetas që është larguar nga vendi i aksidentit.
Janë arrestuar 2 shtetas që kanë thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”.
Është proceduar penalisht 1 shtetas që ka kundërshtuar punonjësit e Policisë dhe 5 shtetas të tjerë, për vepra të ndryshme penale.
Shërbimet e Policisë Kufitare kapën 1 shtetas në kërkim dhe proceduan penalisht 5 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit, dhënie ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit dhe falsifikim dokumentesh.
Durrës/Informacion paraprak – Rreth orës 07:45, në lagjen nr. 14, është gjetur pa shenja jete, në rrugë, shtetasi E. G., 37 vjeç. Paraprakisht dyshohet se ky shtetas e ka humbur jetën për shkaqe natyrale. Grupi hetimor po punon për dokumentimin e shkakut të humbjes së jetës.
Policia e Shtetit fton qytetarët të denoncojnë në numrin pa pagesë 112, çdo rast paligjshmërie, duke garantuar reagim profesional dhe të shpejtë, si dhe ruajtjen e anonimatit.
