Rezultatet kryesore të strukturave policore në vend dhe ngjarjet e ndodhura gjatë 24 orëve të fundit

Vijojnë kontrollet në territor, puna hetimore dhe operacionale, me qëllim parandalimin dhe goditjen e paligjshmërive.

Janë finalizuar 3 operacione, në Dibër, Shkodër dhe Lezhë, për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve dhe kapjen e shtetasve në kërkim.

Janë kapur 2 shtetas që ishin në kërkim për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 9 raste, me 1 shtetas të arrestuar, 7 shtetas të proceduar në gjendje të lirë dhe 1 në kërkim. Në Korçë, më datë 23.10.2026, ka kallëzuar shtetasja D. T., se është larguar nga banesa djali i saj, shtetasi O. T., 49 vjeç. Punohet për gjetjen e tij. Në Tiranë, në rrugën “Anastas Kullurioti”, është gjetur në banesë, pa shenja jete, një 71-vjeçar. Djali i tij ka kallëzuar, pasi dyshon për mjekim të pakujdesshëm nga stafi mjekësor i një spitali, ku 71-vjeçari kishte qenë i shtruar më datë 20.10.2026 dhe, sipas kallëzimit, ishte nxjerrë nga spitali pa përfunduar trajtimin mjekësor. Gjithashtu, ka kallëzuar një shtetase, e cila pretendon se gjendja shëndetësore e vajzës së saj të mitur është përkeqësuar si pasojë e neglizhencës dhe mjekimit të gabuar nga mjekët.

Në fushën e krimeve kundër pronës janë evidentuar 12 raste, me 2 shtetas të arrestuar dhe 10 të proceduar në gjendje të lirë, ndërsa për 1 rast po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Ndëkohë në Sarandë, u arrestua shtetasi S. M., 42 vjeç, banues në Selenicë, pasi dyshohet se më datë 22.10.2026, në lagjen nr. 1, i ka vjedhur çantën e krahut shtetasit G. Ç., 62 vjeç, banues në Sarandë, punonjës policie jashtë shërbimit, në të cilën ndodheshin 23 000 lekë të rinj, një orë dore dhe arma e shërbimit.

Në fushën e krimeve kundër mjedisit janë evidentuar 5 raste, me 5 shtetas të proceduar në gjendje të lirë. Ndërkohë, në Shkodër, më datë 23.10.2026, u proceduan penalisht në gjendje të lirë 3 shtetas, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, konkretisht 2 inspektorë të IKMT-së rajoni Shkodër, pasi dyshohet se nuk kanë marrë masa për rastet e ndërtimeve të paligjshme të konstatuara në lagjen “Shirokë” dhe në fshatin Zogaj, si dhe një teknik pyjesh në Ndërmarrjen Pyjore të Bashkisë Fushë-Arrëz, pasi dyshohet se nuk ka marrë masa për një rast të prerjes së paligjshme të pyjeve, të konstatuar në një zonë nën përgjegjësinë e tij.

Janë evidentuar 6 raste të dhunës në familje, me 1 shtetas të arrestuar, 2 të proceduar në gjendje të lirë dhe 3 në kërkim. Gjithashtu, janë plotësuar 11 kërkesë-padi për lëshimin e urdhrave të mbrojtjes.

Në fushën e krimeve ekonomike janë evidentuar 4 raste, me 4 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kibernetike është evidentuar 1 rast, me 1 shtetas të shpallur në kërkim.

Janë arrestuar 4 shtetas dhe janë proceduar penalisht 3 shtetas, pasi drejtonin mjete në gjendje të dehur/pa leje drejtimi.

U proceduan penalisht 4 shtetas, pasi dyshohet se kanë shkelur rregullat e qarkullimit rrugor.

U proceduan penalisht 2 shtetas për mosbindje ndaj urdhrit të punonjësve të Policisë dhe 1 shtetas i mitur që posedonte armë të ftohtë (thikë).

U proceduan penalisht 4 shtetas të tjerë për vepra të ndryshme penale.

DVP Durrës/ U kapën në aksin “Durrës-Tiranë”, 10 shtetas të huaj (8 nga Egjipti, 1 nga Siria, 1 nga Palestina), 6 prej tyre të mitur, të dyshuar se kanë hyrë në Shqipëri nga kufiri i gjelbër me Greqinë, me qëllim kalimin në vendet e BE-së. Në bashkëpunim me DVKM Durrës, po kryhen procedurat për kthimin në vendet e origjinës.

Shërbimet e Policisë Kufitare kapën 2 shtetas në kërkim, njëri prej tyre i dënuar me 6 muaj burgim për veprën penale “Mashtrimi”, si dhe proceduan penalisht 3 shtetas për kalim të paligjshëm të kufirit, falsifikim dokumentesh dhe mashtrim.

Tiranë/ Në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale të kryera nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, në lidhje me tubimin e zhvilluar dje, është arrestuar 1 shtetas, pasi ka kundërshtuar punonjësit e Policisë dhe ka hedhur sende të forta në drejtim të tyre dhe të institucioneve. Si pasojë, u dëmtua 1 punonjës policie.

Gjithashtu, është shpallur në kërkim 1 shtetas, pasi ka goditur me sende të forta një punonjës policie gjatë tubimit të zhvilluar 2 ditë më parë.

Policia e Shtetit fton qytetarët të denoncojnë në numrin pa pagesë 112 çdo rast paligjshmërie, duke garantuar reagim profesional dhe të shpejtë, si dhe ruajtjen e anonimatit.