Vijojnë kontrollet në territor, puna hetimore dhe operacionale, me qëllim parandalimin dhe goditjen e paligjshmërive.
Është finalizuar 1 operacion nga DVP Tiranë, gjatë të cilit u zbulua një magazinë në Selitë, ku ruheshin medikamente të ndryshme, dyshohet me qëllim përfitimin e fondeve të rimbursimit, nëpërmjet mashtrimit dhe falsifikimit të dokumenteve.
Janë kapur 5 shtetas që ishin në kërkim për vepra të ndryshme penale.
U ekzekutua vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për shtetasin e deportuar nga Spanja, A. C., 23 vjeç, i dënuar me 2 vjet burgim nga kjo Gjykatë, për veprën penale “Vjedhja”.
Në fushën e narkotikëve janë goditur 2 raste, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë. Janë sekuestruar, në cilësinë e provës materiale, sasi të lëndës së dyshuar narkotike Cannabis Sativa.
Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 11 raste, me 14 shtetas të proceduar në gjendje të lirë, ndërsa për 2 raste po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Ndërkohë, në Vlorë u arrestua në flagrancë shtetasi J. D., 23 vjeç, banues në Vlorë, pasi dyshohet se mbrëmjen e djeshme, në një restorant në lagjen “Uji i Ftohtë”, gjatë një konflikti për motive të dobëta, ka kanosur me mjet prerës (thikë) 2 shtetas.
Në fushën e krimeve kundër pronës janë evidentuar 7 raste, me 6 shtetas të proceduar në gjendje të lirë dhe 2 në kërkim.
Në fushën e krimeve kundër mjedisit janë evidentuar 8 raste, me 8 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.
Gjithashtu, u ndalua shtetasi B. P., 55 vjeç, banues në fshatin Lëpushë, Malësi e Madhe, pasi dyshohet se ka kryer punime për ndërtimin e 2 bujtinave pa leje, në zonë të mbrojtur, në fshatin Vermosh, Malësi e Madhe.
Janë evidentuar 6 raste të dhunës në familje, me 1 shtetas të arrestuar, 4 të proceduar në gjendje të lirë dhe 1 në kërkim. Gjithashtu, janë plotësuar 6 kërkesë-padi për lëshimin e urdhrave të mbrojtjes.
Në fushën e krimeve ekonomike janë evidentuar 2 raste, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.
Tiranë/ U procedua një 33-vjeçar, pasi iu gjetën në automjet 32 615 euro, pa asnjë dokument shoqërues që vërteton burimin e tyre.
Në fushën e krimeve kibernetike është evidentuar 1 rast, me 1 autor të proceduar në gjendje të lirë.
Janë arrestuar 2 shtetas dhe janë proceduar penalisht 7 shtetas, pasi drejtonin mjete në gjendje të dehur dhe/ose pa leje drejtimi.
U arrestua 1 shtetas dhe u proceduan penalisht 5 shtetas, pasi dyshohet se kanë shkelur rregullat e qarkullimit rrugor.
Lushnjë/ U procedua penalisht shtetasi I. M., 21 vjeç, banues në Lushnjë, pasi ka parkuar në mënyrë të parregullt automjetin që drejtonte pa leje drejtimi, në lagjen “Kongresi”, duke u bërë pengesë për kalimin e një ambulance dhe të mjeteve të tjera.
U procedua penalisht 1 shtetas, për kundërshtim të punonjësve të Policisë.
U proceduan penalisht 4 shtetas, për vepra të ndryshme penale.
Shërbimet e Policisë Kufitare kapën 1 shtetas në kërkim dhe proceduan penalisht 11 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit, falsifikim dokumentesh dhe trafikim të mjeteve motorike.
Interpol Tirana/ Si rezultat i bashkëpunimit ndërmjet specialistëve të Drejtorisë së Interpolit dhe homologëve të Interpol Mançesterit, në kuadër të operacionit të koduar “The Wanted”, u ekstradua nga Mbretëria e Bashkuar në Shqipëri shtetasi Andi Hoxha, 24 vjeç, lindur në Tiranë, i cili ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, sepse Gjykata e Vlorës, në vitin 2025, e ka dënuar me 5 vjet burgim për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.
Në vitin 2023, shtetasi Andi Hoxha ka transportuar me automjet të marrë me qira 9 shtetas sirianë, të cilët e kishin paguar 1000 euro/person për t’i transportuar ilegalisht në Kosovë, me qëllim lëvizjen drejt shteteve të BE-së.
Sarandë/ Dje, rreth orës 22:30, në dalje të tunelit të Skërficës, ka rënë zjarr në automjetin në lëvizje, me drejtues shtetasin M. Dh., 37 vjeç, banues në Himarë. Dyshohet se zjarri ka rënë për shkak të një shkëndije elektrike në motor. Si pasojë, automjeti u dogj plotësisht, ndërsa drejtuesi pësoi djegie në trup. Ai po merr mjekim në Spitalin e Traumës, Tiranë. Grupi hetimor vijon punën për dokumentimin e shkakut të rënies së zjarrit.
Policia e Shtetit fton qytetarët të denoncojnë në numrin pa pagesë 112 çdo rast paligjshmërie, duke garantuar reagim profesional dhe të shpejtë, si dhe ruajtjen e anonimatit.
