Vijojnë kontrollet në territor, puna hetimore dhe operacionale, me qëllim parandalimin dhe goditjen e paligjshmërive.
Si rezultat i punës hetimore dhe operacionale, janë finalizuar 5 operacione në Tiranë, Elbasan dhe Gjirokastër, për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, dhënies ndihmë emigrantëve për kalim të paligjshëm të kufirit, mashtrimit, zbardhjen e vjedhjeve dhe për kapjen e shtetasve në kërkim.
Janë kapur 2 shtetas që ishin në kërkim për vepra të ndryshme penale.
Në fushën e narkotikëve janë goditur 11 raste, me 2 shtetas të arrestuar dhe 7 të proceduar në gjendje të lirë, ndërsa për 2 raste po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Janë sekuestruar, në cilësinë e provës materiale, sasi të lëndëve të dyshuara narkotike kokainë dhe Cannabis Sativa.
Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 9 raste, me 10 shtetas të proceduar në gjendje të lirë dhe 2 në kërkim.
Në fushën e krimeve kundër pronës janë evidentuar 10 raste, me 3 shtetas të arrestuar, 4 të proceduar në gjendje të lirë dhe 4 në kërkim. Gjithashtu, janë evidentuar 3 raste të vjedhjes së energjisë elektrike, me 3 shtetas të proceduar penalisht, si dhe është proceduar 1 shtetas, punonjës i OSHEE-së, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.
Fier/ U identifikua dhe u arrestua një 40-vjeçar, i cili dyshohet se dje, gjatë orëve të para të mëngjesit, ka vjedhur një shumë parash në një lokal në lagjen “Konferenca e Pezës”.
Në fushën e krimeve kundër mjedisit janë evidentuar 16 raste, me 16 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.
Fier/ U proceduan penalisht 2 shtetas, pasi dyshohet se kanë ndezur zjarre në dy fshatra në Fier dhe, nga përhapja e flakëve, janë djegur sipërfaqe toke me bimësi të egër.
Vlorë/ U procedua penalisht 1 shtetas, pasi dje është kapur në flagrancë nga shërbimet e Policisë, duke ndezur zjarr në fshatin Kotë. Nga përhapja e flakëve është djegur një sipërfaqe toke me shkurre.
Elbasan/ U arrestua një 48-vjeçare, pasi dyshohet se dje ka tentuar të djegë me benzinë banesën e saj, në Elbasan.
Janë evidentuar 4 raste të dhunës në familje, me 1 shtetas të arrestuar dhe 3 të proceduar në gjendje të lirë. Gjithashtu, janë plotësuar 8 kërkesa-padi për lëshimin e urdhrave të mbrojtjes.
Në fushën e krimeve ekonomiko-financiare janë evidentuar 5 raste, me 6 shtetas të proceduar në gjendje të lirë dhe 1 në kërkim.
Në fushën e krimeve kibernetike janë evidentuar 2 raste, për të cilat po punohet për identifikimin e autorëve.
Janë arrestuar 4 shtetas dhe janë proceduar penalisht 10 shtetas, pasi drejtonin mjete në gjendje të dehur dhe/ose pa leje drejtimi.
U arrestuan 3 shtetas dhe u proceduan penalisht 10 shtetas, pasi dyshohet se kanë shkelur rregullat e qarkullimit rrugor.
Tiranë/ U arrestuan:
-drejtuesi i një autobusi, pasi dje, kur ka mbyllur derën e autobusit, aksidentalisht është dëmtuar në këmbë një shtetase, e cila është rrëzuar dhe, për pasojë, është dëmtuar. Ajo po merr mjekim në spital;
-1 shtetas, pasi, duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur, ka kryer një parakalim të gabuar dhe, për pasojë, automjeti është përplasur me një automjet tjetër. Drejtuesi i këtij automjeti dhe pasagjerja janë dëmtuar dhe po marrin mjekim në spital.
Fier/ Mbrëmjen e djeshme, në aksin rrugor “Pojan-Apolloni”, një 16-vjeçar, duke drejtuar motomjetin pa leje drejtimi, dyshohet se ka humbur kontrollin, është rrëzuar dhe, për pasojë, është dëmtuar. Ai po merr mjekim në spital.
U arrestuan 2 shtetas që kanë thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” dhe u proceduan në gjendje të lirë 8 shtetas, për vepra të ndryshme penale.
Shërbimet e Policisë Kufitare proceduan penalisht 4 shtetas, për kontrabandë mallrash të ndryshme, falsifikim dokumentesh dhe mosdeklarim të shumave monetare, si dhe shpallën në kërkim 1 shtetas, për ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve.
Tiranë/ Dje ka humbur jetën në spital një 12-vjeçar, që dyshohet se ka ndërruar jetë për shkak të arrestit kardiak.
Dje është paraqitur në spital, me komplikacione shëndetësore, një shtetase amerikane 32 vjeçe, shtatzënë. Pavarësisht ndërhyrjes mjekësore, foshnja ka humbur jetën.
Himarë/ Dje, rreth orës 19:40, pranë molit të Himarës, shërbimet e Policisë Kufitare kanë gjetur në det trupin e pajetë të shtetases V. Ç., 56 vjeçe, banuese në Himarë. Nga verifikimet paraprake rezulton se kjo shtetase vuante nga probleme të shëndetit mendor.
Vlorë/ Sot, rreth orës 06:30, në Spitalin Rajonal Vlorë, dyshohet se është vetëhedhur nga kati i tretë shtetasja L. R., 76 vjeçe, banuese në Borsh, paciente e shtruar në spital, e cila, për pasojë, ka humbur jetën.
Grupe hetimore vijojnë punën për dokumentimin e rrethanave të këtyre rasteve.
Kurbin/Informacion paraprak
Rreth orës 01:40, në Milot, në një subjekt për përpunimin e inerteve, në administrim të shtetasit K.B., janë djegur 4 kamionë dhe 1 eskavator. Gjithashtu, në spital është paraqitur roja i objektit, shtetasi M. M., 60 vjeç, me dëmtime fizike në pjesën e fytyrës.
Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet hetimore dhe procedurale, me qëllim zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Policia e Shtetit fton qytetarët të denoncojnë në numrin pa pagesë 112 çdo rast paligjshmërie, duke garantuar reagim profesional dhe të shpejtë, si dhe ruajtjen e anonimatit.
