Vijojnë kontrollet në territor, puna hetimore dhe operacionale, me qëllim parandalimin dhe goditjen e paligjshmërive.
Si rezultat i punës hetimore dhe operacionale, janë finalizuar 6 operacione, në Fier, Tiranë, Durrës dhe Shkodër, për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve dhe të armëmbajtjes pa leje, si dhe për kapjen e shtetasve në kërkim.
Janë kapur 3 shtetas që ishin në kërkim për vepra të ndryshme penale.
Në fushën e narkotikëve janë goditur 17 raste, me 11 shtetas të proceduar në gjendje të lirë, ndërsa për 8 raste po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Janë sekuestruar, në cilësinë e provës materiale, sasi të lëndës së dyshuar narkotike Cannabis Sativa, si dhe janë asgjësuar bimë narkotike të kultivuara.
Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 11 raste, me 1 shtetas të arrestuar dhe 13 të proceduar në gjendje të lirë.
Tiranë/U arrestuan 2 shtetas dhe u shpall në kërkim 1, pasi për motive të dobët janë konfliktuar me sende të forta me njëri-tjetrin.
U proceduan penalisht 2 shtetas të mitur, pasi dyshohet se janë konfliktuar me njëri-tjetrin. Gjithashtu, po punohet për identifikimin e një shtetasi që dyshohet se ka kanosur një 35-vjeçar.
Në fushën e krimeve kundër pronës janë evidentuar 7 raste, me 5 shtetas të proceduar në gjendje të lirë, ndërsa për 3 raste po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Peqin/U arrestua 1 shtetas, pasi dyshohet se ka ndezur zjarr në tokën e tij në fshatin Bishqem dhe, nga përhapja e flakëve, janë djegur sipërfaqe toke me pemë ulliri në pronësi të banorëve të fshatit.
Gjithashtu, u identifikuan dhe u proceduan penalisht 5 shtetas, të dyshuar për zjarrvënie në fshatra në Fier, Gjirokastër dhe Lezhë.
U procedua penalisht një shtetas i mitur dhe po punohet për identifikimin e një shtetasi tjetër, pasi, në bashkëpunim, i kanë vjedhur me dhunë celularin një 26-vjeçari.
Në fushën e krimeve kundër mjedisit janë evidentuar 6 raste, me 6 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 4 raste të dhunës në familje, me 3 shtetas të arrestuar dhe 1 të proceduar në gjendje të lirë. Gjithashtu, janë plotësuar 7 kërkesa-padi për lëshimin e urdhrave të mbrojtjes.
Në fushën e krimeve ekonomike janë evidentuar 5 raste, me 5 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve kibernetike janë evidentuar 2 raste, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.
Janë arrestuar 2 shtetas dhe janë proceduar penalisht 8 shtetas, pasi drejtonin mjete në gjendje të dehur dhe/ose pa leje drejtimi. Gjithashtu, u procedua penalisht 1 shtetas, pasi dyshohet se ka shkelur rregullat e qarkullimit rrugor.
U procedua penalisht 1 shtetas, pasi dyshohet se ka kanosur, për shkak të detyrës, punonjës të Ujësjellësit gjatë punës së tyre, në fshatin Gjormë, Vlorë.
U proceduan penalisht 11 shtetas të tjerë, për vepra të ndryshme penale.
Shërbimet e Policisë Kufitare proceduan penalisht 3 shtetas, për kontrabandë mallrash dhe posedim të lëndëve narkotike.
Interpol Tirana/Finalizohen, në bashkëpunim me homologët, 4 faza të tjera të operacionit të koduar “The Wanted”.
-U ekstradua nga Italia, shtetasi H. N., 38 vjeç, i cili ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi GJKKO, me vendimin e datës 30.04.2025, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale apo grupi i strukturuar kriminal”. Nga hetimet dyshohet se shtetasi H. N. ka qenë pjesëtar i një grupi kriminal që ka trafikuar lëndë narkotike nga Amerika e Jugut drejt vendeve të Evropës, si dhe ka investuar në aktivitete të ndryshme, para të përfituara nga kjo veprimtari kriminale;
-U ekstradua nga Zvicra, shtetasi M. K. alias M. M., 28 vjeç, i cili ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Beratit, me vendimin e datës 17.03.2025, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënie pasurie”, kryer në bashkëpunim. 28-vjeçari akuzohet se në vitin 2024, në Berat, në bashkëpunim me 2 shtetas të tjerë, ka dhunuar dhe kanosur disa herë shtetasin P. Z., për dhënien e një shume parash.
-U ekstradua në Spanjë, shtetasi A. B., i cili ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Madridi, pasi autoritetet gjyqësore spanjolle, më datë 14.12.2020, kanë lëshuar urdhër arresti për të, për veprat penale “Organizata kriminale” dhe “Kultivimi i bimëve narkotike”. Ky shtetas akuzohet se ka qenë pjesëtar i një organizate kriminale që ka kultivuar dhe trafikuar lëndë narkotike Cannabis Sativa, në Spanjë, gjatë viteve 2019-2020.
-Gjithashtu, u arrestua në Itali, me qëllim ekstradimin në Shqipëri, shtetasi E. Z., 40 vjeç, lindur në Vlorë, pasi në vitin 2018 është dënuar me 3 vjet burgim, nga Gjykata e Vlorës, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”. Në vitin 2015, në banesën e këtij shtetasi u gjetën të kultivuara bimë narkotike. Interpol Tirana vijon të bashkëpunojë me Interpol Romën, për të finalizuar procedurën për ekstradimin e këtij shtetasi në Shqipëri, për të vuajtur pjesën e mbetur të dënimit, 2 vjet burgim.
Policia e Shtetit fton qytetarët të denoncojnë në numrin pa pagesë 112 çdo rast paligjshmërie, duke garantuar reagim profesional dhe të shpejtë, si dhe ruajtjen e anonimatit.
