Rezultatet kryesore të strukturave policore në vend dhe ngjarjet e ndodhura gjatë 24 orëve të fundit
Si rezultat i angazhimit të strukturave policore, janë finalizuar 2 operacione për goditjen e veprimtarive kriminale të armëmbajtjes pa leje, shitjes së lëndëve narkotike dhe organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit. U arrestuan 8 shtetas, u sekuestruan 2 armë zjarri kallashnikov, municion luftarak, lëndë narkotike Cannabis Sativa, 6 automjete, celularë dhe pajisje të ndryshme elektronike për lojëra fati.
Janë kapur 5 shtetas që ishin në kërkim për krime kundër personit, prodhim dhe shitje të narkotikëve, transportim të kundërligjshëm të emigrantëve dhe krime në fushën ekonomiko-financiare.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 18 raste në të gjithë territorin, me 9 autorë të arrestuar dhe 14 të proceduar në gjendje të lirë, ndërsa për 1 rast po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Janë asgjësuar bimë narkotike Cannabis.
Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 14 raste, me 2 autorë të arrestuar, 14 autorë të proceduar në gjendje të lirë dhe 1 të shpallur në kërkim.
Janë evidentuar 5 raste të dhunës në familje, me 3 autorë të arrestuar dhe 2 të proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 5 kërkesëpadi për urdhër mbrojtjeje.
Është arrestuar 1 shtetas pasi ka thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” dhe është proceduar në gjendje të lirë 1 tjetër, pasi ka kryer veprime në kundërshtim me vendimin e Gjykatës.
Gjithashtu, është shpallur në kërkim 1 shtetase, pasi dyshohet se shfrytëzonte fëmijët e saj të mitur, për të lypur.
Janë evidentuar 5 raste në fushën e krimeve ekonomiko-financiare, me 6 autorë të proceduar në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 2 raste të fushën e krimeve kibernetike, 1 rast me 1 autor të proceduar në gjendje të lirë, ndërsa për 1 rast po punohet për identifikimin e autorëve.
Në fushën e krimeve ndaj pronës janë evidentuar 15 raste, me 3 autorë të arrestuar, 7 autorë të proceduar në gjendje të lirë, ndërsa për 5 raste po punohet për identifikimin e autorëve.
Janë evidentuar 9 raste të krimeve kundër mjedisit, me 8 autorë të proceduar në gjendje të lirë, ndërsa për 1 rast po punohet për identifikimin e autorëve.
Për një rast të ndërtimit të paligjshëm, është ndaluar 1 shtetas, për veprën penale për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.
Janë proceduar në gjendje të lirë 5 shtetas dhe është shpallur në kërkim 1, për kundërshtim/mosbindje ndaj urdhrit të punonjësve të Policisë.
Janë evidentuar 3 raste të tentativës për të korruptuar punonjësit e Policisë Rrugore, me 1 autor të arrestuar dhe 2 të proceduar në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 4 raste të mbajtjes pa leje të armëve të ftohta/uniformës, me 1 autor të arrestuar dhe 3 të proceduar në gjendje të lirë.
Janë arrestuar 6 shtetas dhe janë proceduar penalisht 10 të tjerë, pasi drejtonin mjetin, në gjendje të dehur/pa leje drejtimi. Gjithashtu, janë arrestuar 3 drejtues mjetesh dhe janë proceduar penalisht 3, për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor. Në të gjithë territorin janë evidentuar 6 raste aksidentesh, me 6 shtetas të dëmtuar të cilët janë jashtë rrezikut për jetën.
Janë proceduar penalisht 6 shtetas të tjerë, për vepra të ndryshme penale.
Strukturat e Policisë Kufitare kane proceduar penalisht 3 shtetas, për falsifikim të dokumenteve, mosdeklarim të shumave monetare dhe kalim të paligjshëm të kufirit.
Policia e Shtetit fton qytetarët që të denoncojnë në numrin pa pagesë 112, çdo rast paligjshmërie, duke iu garantuar reagim profesional, të shpejtë dhe anonimat të sigurt.
-Lezhë/Informacion paraprak
Rreth orës 06:40, në fshatin Rrilë, Lezhë, në portën e jashtme të banesës në pronësi të shtetasit T. Ç., me banim të përkohshëm në Itali, ka shpërthyer një sasi lënde plasëse, duke shkaktuar vetëm dëme materiale. (Prej më shumë se 20 vitesh nuk banon njeri në këtë banesë).
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor.
Nën drejtimin e Prokurorisë, po kryhen veprimet hetimore për sqarimin e plotë të rrethanave dhe dokumentimin ligjor të rastit, me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorit/ve.
-Shkodër/Informacion paraprak
Rreth orës 08:10, në unazën perëndimore të qytetit të Shkodrës, automjeti me drejtues shtetasin A. G. ka përplasur automjetin me drejtues shtetasin F. L. dhe më pas ka përplasur edhe një shtetas që lëvizte me biçikletë.
Si pasojë e aksidentit, ka humbur jetën shtetasi që lëvizte me biçikletë, rreth 50 vjeç, si dhe janë dëmtuar lehtë të dy drejtuesit e automjeteve.
Në vendngjarje ndodhen shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor, të cilët po punojnë për sqarimin e rrethanave të aksidentit.
