Rezultatet kryesore të strukturave policore në vend dhe ngjarjet e ndodhura gjatë 24 orëve të fundit

Shërbimet e Policisë, në të gjithë vendin, vijojnë kontrollet në territor, monitorimin e qarkullimit rrugor dhe goditjet e njëpasnjëshme, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, me qëllim parandalimin dhe goditjen e paligjshmërive.

Si rezultat, janë finalizuar 6 operacione për goditjen e veprimtarive të ndryshme kriminale, si dhe për kapjen e një shtetasi të shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Në Tiranë dhe në Lezhë u finalizuan 2 operacione për goditjen e armëmbajtjes pa leje.

Gjithashtu, në Tiranë u finalizuan:

– 1 operacion, gjatë të cilit u arrestua një shtetas që ka thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” dhe ka shkuar në ambientet e një firme, ku dyshohet se ka kanosur pronarin e saj, me një send të dyshuar si armë zjarri;

– 1 operacion për zbardhjen e një skeme mashtrimi. U arrestua një shtetase, e cila dyshohet se u ka marrë shuma parash disa shtetasve, duke u premtuar dëmshpërblim apo banesa të ndërtuara për familjet e prekura nga tërmeti i vitit 2019, në Fushë-Krujë. Për këtë rast, u bashkëpunua me stafin e emisionit investigativ “STOP”;

– 1 operacion për zbardhjen e 3 rasteve të vjedhjes së çantave/portofolëve.

Gjithashtu, janë kapur/ndaluar 4 shtetas të shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve, krahas operacioneve, janë goditur 16 raste, me 2 shtetas të arrestuar dhe 9 të proceduar në gjendje të lirë, ndërsa për 5 raste po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë sekuestruar, në cilësinë e provës materiale, sasi të lëndëve të dyshuara narkotike kokainë dhe Cannabis, si dhe janë asgjësuar bimë narkotike të kultivuara.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 10 raste, me 12 shtetas të proceduar në gjendje të lirë dhe 1 të shpallur në kërkim.

Në Vlorë u arrestua shtetasi S. M., 71 vjeç, pasi dyshohet se, mëngjesin e sotëm, gjatë një konflikti për motive të dobëta, në banesë, ka goditur me send të fortë bashkëshorten e tij, shtetasen E. M., 61 vjeçe, e cila ndodhet në spital, në kujdesin e mjekëve.

Po punohet për kapjen e një 29-vjeçari dhe një 25-vjeçari, pasi mbrëmjen e djeshme, në një lokal në Tiranë, 29-vjeçari ka kanosur pronaren e lokalit dhe dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri në ajër, e më pas është larguar nga aty me automjet, së bashku me 25-vjeçarin.

Po punohet për kapjen e 3 shtetasve, të cilët dyshohet se, dje, në plazhin e Kakomesë, në bashkëpunim me shtetas të tjerë ende të paidentifikuar, kanë ushtruar dhunë fizike, për motive të dobëta, ndaj një 46-vjeçari, i cili po merr mjekim në spital.

Në fushën e krimeve kundër pronës janë evidentuar 17 raste, me 11 shtetas të proceduar në gjendje të lirë, ndërsa për 6 raste po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Në fushën e krimeve kundër mjedisit janë evidentuar 9 raste, me 9 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 8 raste të dhunës në familje, me 2 shtetas të arrestuar dhe 9 të proceduar në gjendje të lirë.

Gjithashtu, janë plotësuar 12 kërkesa-padi për lëshimin e urdhrave të mbrojtjes.

Në fushën e krimeve ekonomike janë evidentuar 4 raste, me 4 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i krimeve kibernetike, autori i të cilit është proceduar në gjendje të lirë.

Janë arrestuar 3 shtetas dhe janë proceduar penalisht 6 të tjerë, pasi drejtonin mjete në gjendje të dehur dhe/ose pa leje drejtimi.

Gjithashtu, janë proceduar penalisht 2 shtetas, pasi dyshohet se kanë shkelur rregullat e qarkullimit rrugor.

U arrestua shtetasi A. T., 24 vjeç, pasi mbrëmjen e djeshme, në Farkë, dyshohet se, gjatë kryerjes së manovrës për lëvizje mbrapa me automjet, aksidentalisht ka përplasur një fëmijë, vajzë rreth 1 vjeçe e gjysmë, e cila, si pasojë, ka humbur jetën.

Janë arrestuar 3 shtetas, pasi kanë thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”.

Janë proceduar penalisht 2 shtetase të huaja, të dyshuara për prostitucion, si dhe 11 shtetas për vepra të ndryshme penale.

Shërbimet e Policisë Kufitare kapën 2 shtetas në kërkim dhe proceduan penalisht 2 shtetas, për kundërshtim të punonjësve të Policisë, si dhe 4 shtetas të tjerë për kalim të paligjshëm të kufirit, dhënie ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit dhe mbajtje pa leje të armëve sportive.

Policia e Shtetit fton qytetarët të denoncojnë në numrin pa pagesë 112 çdo rast paligjshmërie, duke garantuar reagim profesional dhe të shpejtë, si dhe ruajtjen e anonimatit.