Rezultatet kryesore të strukturave policore në vend dhe ngjarjet e ndodhura gjatë 24 orëve të fundit
Shërbimet e Policisë, në të gjithë vendin, vijojnë kontrollet në territor, monitorimin e qarkullimit rrugor dhe goditjet e njëpasnjëshme, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, me qëllim parandalimin dhe goditjen e paligjshmërive.
Si rezultat, janë finalizuar 2 operacione, për goditjen e veprimtarisë së paligjshme të lojërave të fatit dhe kapjen e shtetasve në kërkim ndërkombëtar.
Gjithashtu, janë kapur 2 shtetas të shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale.
Në fushën e narkotikëve, krahas operacioneve, janë goditur 21 raste, me 3 shtetas të arrestuar dhe 12 shtetas të proceduar në gjendje të lirë, ndërsa për 6 raste po punohet për identifikimin e autorëve. Janë sekuestruar doza të lëndëve të dyshuara narkotike kokainë dhe kanabis, si dhe janë asgjësuar bimë narkotike të kultivuara.
Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 18 raste, me 1 shtetas të arrestuar, 16 të proceduar në gjendje të lirë dhe 2 në kërkim.
Gjithashtu, u arrestuan në flagrancë një 49-vjeçar dhe djali i tij 17 vjeç, pasi dje, në Shëngjin, dyshohet se janë konfliktuar me 2 shtetas, për motive të dobëta, si dhe, gjatë ndërhyrjes së shërbimeve të Policisë për parandalimin e përshkallëzimit të konfliktit, 17-vjeçari ka kundërshtuar me dhunë një punonjës policie.
U procedua penalisht një 28-vjeçar, pasi dje, në Koman, Vau i Dejës, gjatë lundrimit, varka që ai drejtonte aksidentalisht është përplasur me një varkë që drejtohej nga një 20-vjeçar.
Gjithashtu, u procedua penalisht dhe 40-vjeçari që administronte varkën që drejtonte 20-vjeçari, pasi nuk kishte dokumentacionin përkatës për mjetin lundrues, nuk e kishte siguruar si punonjës 20-vjeçarin, si dhe nuk lëshonte kuponë tatimor për turistët që transportoheshin me varkë.
Në Tiranë, u arrestua një 61-vjeçar, pasi dyshohet se, për motive të dobëta, ka goditur me mjet prerës një 45-vjeçar, i cili ndodhet nën kujdesin e mjekëve.
Po në Tiranë, një 85-vjeçar dyshohet se është vetëvarur në një pemë, ndërsa një 42-vjeçare dyshohet se ka konsumuar mbidozë medikamentesh në banesë dhe vijon të jetë nën kujdesin e mjekëve.
Në fushën e krimeve kundër pronës janë evidentuar 14 raste, me 2 shtetas të arrestuar, 8 të proceduar në gjendje të lirë dhe 2 në kërkim.
Në fushën e krimeve kundër mjedisit janë evidentuar 4 raste, me 6 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 8 raste të dhunës në familje, me 2 shtetas të arrestuar, 5 të proceduar në gjendje të lirë dhe 1 në kërkim. Gjithashtu, janë plotësuar 8 kërkesa-padi për lëshimin e urdhrave të mbrojtjes.
Në fushën e krimeve ekonomike janë evidentuar 6 raste, me 1 shtetas të arrestuar, 4 të proceduar në gjendje të lirë dhe 1 në kërkim.
Në fushën e krimeve kibernetike janë evidentuar 4 raste, me 2 shtetas të proceduar penalisht, ndërsa për 2 raste po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Janë arrestuar 2 shtetas dhe janë proceduar penalisht 8 të tjerë, pasi drejtonin mjete në gjendje të dehur dhe/ose pa leje drejtimi, 3 prej të cilëve nuk iu janë bindur urdhrave të punonjësve të Policisë. Gjithashtu, janë proceduar penalisht 3 shtetas, pasi dyshohet se kanë shkelur rregullat e qarkullimit rrugor, si dhe po punohet për identifikimin dhe kapjen e një shtetasi që është larguar nga vendi i aksidentit.
Janë proceduar në gjendje të lirë 10 shtetas dhe është shpallur në kërkim 1 tjetër, për vepra të ndryshme penale.
U kap në SPK Bllatë, në dalje të RSh-së, dhe u arrestua me qëllim ekstradimin, shtetasi moldav në kërkim ndërkombëtar V. S., pasi Gjykata e Baltit, Moldavi, ka lëshuar urdhër-arresti për veprën penale “Mashtrimi”.
Gjithashtu, shërbimet e Policisë Kufitare arrestuan 1 shtetas dhe proceduan penalisht 3 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit, ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit dhe falsifikim të dokumenteve.
Si rezultat i bashkëpunimit me homologët, u ekstraduan 2 shtetas, konkretisht:
U ekstradua nga Greqia, shtetasi në kërkim ndërkombëtar F. V., alias F. V 36 vjeç, banues në Lezhë, pasi Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, në prill 2026 i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Trafikimi i lëndëve narkotike, kryer më shumë se një herë, në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
U ekstradua në Itali, shtetasi në kërkim ndërkombëtar Armando Bako alias Armando Pjetri, banues në Berat, sepse Gjykata e Apelit e Napolit e ka dënuar me 29 vjet burgim, për veprat penale “Organizata kriminale” dhe “Trafik droge”.
Policia e Shtetit fton qytetarët të denoncojnë në numrin pa pagesë 112 çdo rast paligjshmërie, duke garantuar reagim profesional dhe të shpejtë, si dhe ruajtjen e anonimatit.
