-Raportimi i Drejtorit të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, Drejtues Edvin Ndreu:
Përshëndetje të nderuar gazetarë,
Ju falënderoj për praninë tuaj në këtë konferencë të përbashkët me Drejtorin e Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin, e cila zhvillohet në kuadër të qasjes së re të Policisë së Shtetit për një komunikim më transparent dhe më të drejtpërdrejtë me qytetarët dhe median.
Qëllimi ynë është të informojmë publikun, me informacion të verifikuar, mbi rezultatet e punës sonë, masat që kemi ndërmarrë për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, si dhe sfidat me të cilat përballemi për përmbushjen e objektivave të misionit tonë, si:
-goditja e grupeve kriminale;
-kapja e shtetasve të shpallur në kërkim;
-lufta ndaj narkotikëve dhe armëmbajtjes pa leje;
-siguria në shkolla dhe siguria rrugore;
-evidentimi dhe goditja e krimeve mjedisore, si dhe
-siguria gjatë sezonit turistik.
Gjithashtu, ndjekja në kohë dhe në dinamikë e shqetësimeve të qytetarëve dhe rasteve të dhunës në familje, reagimi në kohë dhe me profesionalizëm në rast ngjarjesh, si dhe shërbimi dinjitoz për qytetarët, elemente këto të cilat arrihen përmes performancës, komunikimit dhe reagimit me paanshmëri.
Gjatë muajit qershor janë evidentuar 254 vepra penale të ndryshme, prej të cilave janë zbuluar 240 ose 94.5 %. Për këto vepra penale janë identifikuar 280 autorë të dyshuar, nga të cilët 65 janë arrestuar/ndaluar, 206 janë proceduar në gjendje të lirë dhe 9 janë shpallur në kërkim. Krahasuar me muajin e kaluar, janë evidentuar 42 raste më shumë të veprave penale, ndërsa zbulueshmëria është afërsisht në të njëjtat nivele, me 94%.
Këto rezultate janë arrirë kryesisht nëpërmjet 5 operacioneve policore të zhvilluara për :
-goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e krimeve kundër personit;
-kapjen e shtetasve ne kërkim, me rrezikshmëri të lartë,
-goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e krimeve pronës, konkretisht vjedhjes së banesave.
Gjatë këtyre operacioneve policore, janë arrestuar 8 shtetas, si dhe është shpallur në kërkim 1.
Gjithashtu, janë kapur 5 shtetas të shpallur në kërkim për vepra penale në fushën e narkotikëve. 2 prej tyre ishin në kërkim ndërkombëtar, konkretisht:
-Operacioni policor “Strike 5”, gjatë të cilit u bë e mundur goditja e një grupi kriminal me rrezikshmëri të lartë në qytetin e Vlorës. Në kuadër të këtij operacioni u arrestuan në flagrancë 4 shtetas, njëri prej tyre i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma, për veprat penale “Trafikimi i lëndëve narkotike” dhe “Pjesëmarrja në organizatë kriminale”. Gjithashtu, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 4 armë zjarri (pistoleta);
-Operacioni policor “Grupi”, gjatë të cilit u bënë të mundura kapja dhe arrestimi provizor i një shtetasi, me qëllim ekstradimin në Itali. Ky shtetas ishte dënuar me 12 vjet, 2 muaj e 13 ditë burgim, për kryerjen e veprës penale “Pjesëmarrja në organizatë kriminale të armatosur, me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike”. Gjithashtu, në kuadër të këtij operacioni u arrestua 1 shtetas dhe 1 u procedua në gjendje të lirë, për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”;
-Operacioni policor i koduar “Catch”, si rezultat i të cilit u kap 1 shtetas në kërkim, i dënuar me 4 vjet burgim, për veprën penale “Grupi i strukturuar kriminal ”;
-Operacioni “The Last Window”, gjatë të cilit u zbardhën dhe u dokumentuan 5 vjedhje me thyerje, të banesave në Sarandë. Gjatë operacionit u arrestuan 4 shtetas dhe u shpall në kërkim 1;
-Operacion policor i koduar “STRIKE 6”, gjatë të cilit u bë e mundur mundur kapja e 1 shtetasi të shpallur në kërkim për veprat penale “Vrasja me paramendim”, kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”. Gjatë këtij operacioni, u gjet dhe sekuestrua në cilësinë e provës materiale, një armë zjarri pistoletë.
Gjatë muajit qershor janë sekuestruar:
-6 armë zjarri (pistoleta), 4 armë të ftohta, 138 fishekë luftarak;
-mbi 700 doza lënde narkotike Tusi, Ketaminë, MDMA, Cannabis sattiva, Kokainë dhe Ekstazi;
-4 pasuri të llojit “Apartament“;
-1 pasuri e llojit “Njësi” (prona me vlere rreth 400 000 euro).
Janë evidentuar 2 raste të krimeve mjedisore, për të cilat janë proceduar 2 shtetas.
Janë referuar 25 raste për veprat penale që cenojnë regjimin juridik të tokës, per te cilët janë proceduar 27 shtetas.
Janë trajtuar në total 646 konflikte, nga të cilat 284 konflikte për motive të dobëta, 231 për motive pronësie, 131 konflikte për motive të ndryshme. Për këto raste janë kryer të gjitha veprimet në zbatim të procedurave standarde dhe janë proceduar autorët e dyshuar.
Me rritjen e fluksit të lëvizjes, është intensifikuar monitorimi inteligjent i akseve rrugore për të cilin kemi pasur dhe mbështetjen e Drejtorisë së Policisë Rrugore. Si rezultat, Sektori i Policisë Rrugore ka evidentuar 65 raste të shkeljeve që cenojnë sigurinë rrugore ose 18 raste më shumë se në muajin maj .
Fatkeqësisht, gjatë këtij muaji kanë ndodhur 18 aksidente rrugore, si pasojë e të cilave kanë humbur jetën 3 shtetas.
Gjatë kësaj periudhe, janë evidentuar 42 raste të drejtimit të mjeteve në mënyrë të parregullt ose 12 raste më shumë se në muaji maj, vepër për të cilën janë arrestuar 14 shtetas.
Gjate kësaj periudhe, janë vendosur 15 607 masa administrative dhe janë vjelur 7881.
Për zgjidhjen e kësaj problematike, shërbimet e Policisë Rrugore kanë shtuar monitorimin, kontrollet dhe praninë në terren, me qëllim evidentimin dhe ndëshkimin e çdo shkeljeje që rrezikon sigurinë rrugore, si dhe jetën/shëndetin e përdoruesve të rrugës.
Vijon të mbetet sfidë edhe lufta kundër kultivimit të bimëve narkotike ne ambiente te mbyllura dhe te hapura. Për këtë arsye, janë ushtruar kontrolle ne terren dhe me dronë, si dhe janë kryer veprime hetimore në të gjithë territorin e qarkut me metoda proaktive. Gjatë kësaj periudhe nuk janë konstatuar raste të kultivimit të bimëve narkotike, ashtu si dhe gjatë muajit maj.
Për një kontroll sa më efikas, kemi kërkuar monitorim ajror dhe nga shërbimet partnere.
Per mbarëvajtjen e sezonit turistik veror, përveç shërbimeve të DVP Vlorë, nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit janë vënë në dispozicion dhe 135 punonjës policie, të cilët do të jenë në shërbim përgjatë bregdetit, në Vlorë, Himarë dhe Sarandë.
Në përfundim, në emër të të gjitha strukturave të Policisë së qarkut Vlorë, dua të siguroj qytetarët se mbetemi maksimalisht të angazhuar për parandalimin dhe goditjen e çdo paligjshmërie, si dhe për garantimin e rendit, sigurisë dhe qetësisë publike.
Njëkohësisht, sigurojmë qytetarët, pushuesit dhe turistët, se Policia Kufitare, Policia Kriminale, Policia Rrugore, Forca e Posaçme “Shqiponja” dhe patrullat e përgjithshme vijojnë të jenë 24 orë në 7 në terren, për të garantuar sigurinë në çdo zonë të qarkut, si dhe për të reaguar me shpejtësi ndaj çdo situate që kërkon ndërhyrjen tonë.
Një apel të veçantë dua t’iu drejtoj qytetarëve, operatorëve turistikë, administratorëve të plazheve dhe çdo subjekti që ushtron aktivitet gjatë sezonit veror, që të respektojnë ligjin dhe standardet e sigurisë, pasi çdo shkelje që cenon jetën, shëndetin apo sigurinë e qytetarëve, do të trajtohet me seriozitet maksimal dhe në përputhje me ligjin.
Po ashtu, ftoj qytetarët dhe median të vijojnë bashkëpunimin me Policinë e Shtetit, duke denoncuar çdo rast paligjshmërie apo çdo situatë që cenon sigurinë publike.
Ju garantoj se çdo informacion, denoncim apo telefonatë do të trajtohet menjëherë, me profesionalizëm, përgjegjshmëri dhe seriozitet.
Të nderuar gazetarë, këto ishin disa nga rezultatet kryesore te punës se Policisë dhe dinamika e ngjarjeve gjatë muajit qershor, si dhe disa nga problematikat me ndikim të drejtpërdrejtë në jetën dhe sigurinë e qytetarëve.
Ju falënderoj dhe i kaloj fjalën Drejtorit të Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Vlorë, dhe me pas jemi të gatshëm për pyetjet tuaja.
-Raportimi i Drejtorit të Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Vlorë, Kryekomisar Arbër Zemani:
Të nderuar përfaqësues të medias,
Të nderuar qytetarë,
Me nisjen e sezonit turistik veror 2026, Drejtoria Vendore për Kufirin dhe Migracionin Vlorë, e cila shtrin juridiksionin në 183 km vijë kufitare bregdetare dhe 62 km kufi tokësor të gjelbër, duke e pozicionuar atë si një nga drejtoritë me ngarkesën dhe dinamikën më të lartë operacionale në vend, ka ndërmarrë dhe po zbaton një sërë masash konkrete për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, menaxhimin e flukseve në pikat e kalimit kufitar, si dhe rritjen e sigurisë në zonat turistike bregdetare dhe tokësore.
Gjatë muajit qershor 2026, në pikat e kalimit kufitar në juridiksionin e DVKM Vlorë janë përpunuar 202 013 shtetas dhe 40 059 automjete, me një mesatare ditore prej 6 734 shtetasish dhe 1 335 automjetesh. Nga shërbimet e portit të Vlorës, portit të Sarandës dhe pikës së kalimit kufitar Qafë Botë janë përpunuar në hyrje gjithsej 78 456 shtetas të huaj, rreth 3.2% më shumë se gjatë muajit qershor të vitit 2025.
Fluksi maksimal i regjistruar brenda 24 orëve ka arritur në 3 057 shtetas dhe 586 automjete, tregues që konfirmojnë rritjen e ndjeshme të lëvizjeve ndërkufitare gjatë sezonit turistik.
Për përballimin e fluksit të shtuar janë hapur 9 poste pune në PKK Qafë Botë, Port, Sarandë dhe Port, Vlorë, si dhe janë angazhuar 10 punonjës policie të deleguar nga drejtori të tjera vendore, në kuadër të mbështetjes së sezonit turistik veror 2026.
Gjithashtu, po përfundon instalimi i sistemeve dhe pajisjeve të reja teknologjike, të cilat do të rrisin ndjeshëm shpejtësinë e përpunimit të shtetasve dhe mjeteve, duke garantuar njëkohësisht standardet më të larta të sigurisë kufitare.
Gjatë sezonit turistik, DVKM Vlorë ka bashkëpunuar ngushtë me institucionet përgjegjëse në nivel qendror dhe vendor, duke koordinuar veprimet me Prefekturën e qarkut Vlorë, bashkitë Vlorë, Himarë dhe Sarandë, Kapitenerinë e Portit Vlorë, Agjencinë Kombëtare të Bregdetit (AKB), autoritetet homologe dhe institucionet e tjera përgjegjëse.
Për garantimin e sigurisë kufitare dhe menaxhimin efektiv të sezonit turistik është siguruar mbulimi i të gjitha zonave bregdetare gjatë gjithë sezonit turistik veror 2026.
Gjithashtu, po kryhet monitorim i vazhdueshëm nga toka dhe ajri nëpërmjet dronëve. Çdo shkelje që cenon sigurinë e pushuesve trajtohet me tolerancë zero dhe në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Nga shërbimet në juridiksionin e DVKM Vlorë është regjistruar një fluks i lartë i mjeteve turistike lundruese në të gjithë vijën bregdetare. Gjithsej janë kontrolluar 1 555 mjete lundruese, me prezencë intensive në Triport, Sarandë dhe Dhërmi.
Përgjatë vijës bregdetare, nga Gjiri i Vlorës deri në Porto Palermo, shtrihen rreth 21 gjire natyrore, zona të izoluara dhe të vështira për akses, të cilat kërkojnë kujdes intensiv dhe patrullim të vazhdueshëm nga mjetet detare. Gjatë muajit qershor 2026, është dhënë ndihmë në det, në 8 raste, gjatë të cilave iu është shkuar në ndihmë gjithsej 31 shtetasve, kryesisht të huaj, por edhe shqiptarë, si dhe 6 mjeteve lundruese.
Gjatë muajit qershor, vëmendje e veçantë i është kushtuar sigurisë detare dhe sigurisë së pushuesve në plazhe. Në këtë kuadër, nga Njësia Policore Detare dhe Policia Kufitare janë bllokuar 66 mjete lundruese. Janë vendosur 68 masa administrative, me vlerë totale 2 700 000 lekë, për shkelje të perimetrit të sigurisë në det, mungesë dokumentacioni në bord, mungesë të regjistrimit të pronësisë së mjetit brenda afatit, tejkalim të numrit të lejuar të personave në bord, qëndrim ose lundrim në ujërat e brendshme përtej afatit 18-mujor, si dhe lundrim pa certifikatën e operatorit turistik.
Ndërkohë, vijojnë kontrollet dhe monitorimet intensive në kufirin e gjelbër dhe në hapësirën detare, me qëllim parandalimin e kalimeve të paligjshme, trafikimit të qenieve njerëzore, kontrabandës dhe çdo veprimtarie tjetër kriminale ndërkufitare, në bashkëpunim të ngushtë me strukturat vendase dhe autoritetet homologe.
Si rezultat i kontrolleve dhe veprimtarisë policore të ushtruar gjatë muajit qershor 2026, janë evidentuar dhe referuar materialet në Prokurori, për 12 vepra penale, kryesisht në fushën e migracionit të paligjshëm, ndihmës për kalim të paligjshëm të kufirit dhe kalimit të paligjshëm të kufirit, në fushën e krimit ekonomik e financiar dhe në fushën e trafiqeve. Janë sekuestruar 2 automjete, njëri i vjedhur në Itali dhe tjetri në Sllovaki. Autorët e këtyre veprave penale janë proceduar sipas ligjit.
Policia Kufitare ka gjithashtu detyrë kontrollin e territorit kufitar për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike dhe trafikimit të lëndëve narkotike. Në këtë kuadër janë realizuar gjithsej 145 kontrolle dhe rikontrolle në ambiente të hapura dhe të mbyllura.
Angazhimi i vazhdueshëm i DVKM Vlorë ka shërbyer si faktor parandalues në luftën kundër kultivimit të bimëve narkotike në zonat kufitare.
Paralelisht me masat e sigurisë kufitare, Sektori i Migracionit ka vijuar punën për administrimin e migracionit të ligjshëm dhe trajtimin e rasteve të migracionit të parregullt.
Gjatë muajit qershor 2026 janë regjistruar 1 344 aplikime online për leje qëndrimi nëpërmjet sistemit e-Albania, 521 më shumë krahasuar me muajin paraardhës.
Janë miratuar 1 344 leje qëndrimi, duke shënuar një rritje prej 61% krahasuar me muajin qershor 2025. Gjithashtu, 983 shtetas të huaj janë pajisur me leje biometrike.
Në fushën e migracionit të parregullt janë trajtuar 31 shtetas të huaj migrantë të parregullt, duke shënuar rritje me 60% krahasuar me qershorin 2025. Të gjithë këta shtetas janë trajtuar sipas procedurave ligjore dhe janë pajisur me urdhra largimi vullnetar.
Bashkëpunimi dhe koordinimi me Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë, Rojen Bregdetare, Guardia di Finanza dhe të gjitha agjencitë e tjera që kontribuojnë për mbarëvajtjen dhe sigurinë e sezonit turistik ka qenë në nivele shumë të mira.
Në përfundim, apeloj për të gjithë përdoruesit e mjeteve lundruese që të tregojnë kujdes maksimal gjatë drejtimit të tyre, të mos lundrojnë pranë perimetrit të sigurisë dhe, në ato zona ku mungon ky perimetër, të lundrojnë sa më larg bregut, me qëllim që të mos cenojnë apo rrezikojnë jetën e pushuesve.
Drejtoria Vendore për Kufirin dhe Migracionin Vlorë është e angazhuar maksimalisht për të garantuar sigurinë detare dhe kufitare, për të parandaluar dhe goditur krimet ndërkufitare, duke bashkëpunuar ngushtë me autoritetet homologe, për t’u ardhur në ndihmë pushuesve dhe turistëve në çdo rast nevoje, si dhe për t’u ofruar qytetarëve në çdo pikë kalimi kufitar një shërbim sa më të shpejtë, profesional dhe të kulturuar.
Faleminderit!
