Reagim i Policisë së Shtetit
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Drejtues Madhor Muhamet Rrumbullaku, sapo është njohur me një video të publikuar në rrjete sociale dhe në media, ka urdhëruar menjëherë Drejtorinë e Standardeve Profesionale në DPPSH, për pezullimin paraprak nga detyra të Drejtorit të Policisë Rrugore Drejtues i Parë A. Q.
Gjithashtu, ndaj tij ka filluar hetimi disiplinor për shkelje të rëndë disiplinore, të parashikuar nga neni 204, pika 2, germa “a”, e rregullores së Policisë së Shtetit, “Sjellja e rendë diskredituese”. Hetimi disiplinor do të kryhet në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore.
Sqarojmë opinionin publik se qytetarët që shfaqen në video nuk ishin pjesë e protestës që po zhvillohej nga banorët e zonës në aksin rrugor Thumanë -Kashar, por udhëtonin me mjetin e tyre në drejtim të Tiranës, duke kryer manovra në rrugë dhe kundërshtuar e ofenduar punonjësit të Policisë Rrugore, të cilët i kanë këshilluar për të ulur shpejtësinë dhe për të qëndruar në rradhë deri sa të normalizohej lëvizja. Edhe pas këshillimit nga ana e punonjësve të Policisë Rrugore, këta shtetas kanë vijuar t’i bien pa pushim sistemit zanor të automjetit, duke shkaktuar shqetësim te përdoruesit e tjerë të rrugës dhe njëherazi irritim të tyre.
Shtetasit E. Q. 36 vjeç, dhe Gj.K, 36 vjeç janë shoqëruar në ambientet e Policisë dhe në përfundim të veprimeve janë proceduar penalisht për “Mosbindjes ndaj urdhërit të punonjësit të policisë së rendit publik”.
Policia e Shtetit mbetet e vendosur për të zbatuar ligjin dhe për të respektuar të drejtat dhe liritë themelore të qytetarëve, duke mos lejuar asnjë rast të cënimit të tyre pa u ndëshkuar ligjërisht.
Ndërkohë, kërkojmë mirëkuptimin e qytetarëve dhe të përdoruesve të rrugës që të zbatojnë rregullat dhe udhëzimet e autoriteve policore në rastet kur ka ngadalësim apo bllokim të lëvizjes së automjeteve për arsye të ndryshme.