Reagim i Policisë së Shtetit
Në lidhje me një lajm të publikuar në portalin “JOQ Albania”, për një turiste franceze e cila ka akuzuar një drejtues taksie se gjatë udhëtimit nga Tirana në Vlorë, drejtuesi i taksisë e ka ngacmuar seksualisht, sqarojmë opinionin publik se:
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, pasi është njohur me rastin e publikuar në portalin “JOQ Albania”, menjëherë urdhëroi strukturat Vendore të Policisë Tiranë, Durrës, Fier dhe Vlorë, për të kryer verifikimet dhe veprimet ligjore për këtë rast.
Gjithashtu, Drejtori i Përgjithshëm ka urdhëruar Drejtorinë e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit që të kryente verifikimet në lidhje me zbatimin e procedurave standarde të punës, për marrjen, administrimin dhe ndjekjen ligjore të kallëzimit për këtë rast, nëse kjo shtetase kishte bërë një të tillë në strukturat e Policisë.
Nga verifikimet e kryera nga strukturat e Policisë ka rezultuar se kjo shtetase nuk ka bërë kallëzim në asnjë strukturë policore në të gjithë vendin.
Po nga verifikimet e kryera ka rezultuar se shtetasja franceze, më datë 04.09.2023, ka udhëtuar me një automjet taksi të një kompanie që ofron shërbim taksi, dhe në mes të rrugës i ka kërkuar kompanisë, një automjet tjetër, po të kësaj kompanie, me pretendimin se drejtuesi i automjetit po e ngacmonte seksualisht. Kompania i ka vënë në dispozicion një tjetër automjet të kompanisë dhe turistja franceze është larguar.
Në përfundim të veprimeve të para hetimore të kryera nga Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Kibernetike në DVP Tiranë drejtuesi i taksisë shtetasi E.C, 28 vjeç, u shpall në kërkim.
Pas kërkimeve për lokalizimin dhe kapjen e tij është bërë e mundur kapja dhe shoqërimi i 28 vjeçarit në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë për veprime të mëtejshme procedurale të cilat po kryhen nën drejtimin e Prokurorit.
Policia e Shtetit është e angazhuar dhe e fokusuar në luftën ndaj krimit në përgjithësi dhe krimit të organizuar në veçanti dhe në këtë kuadër fton edhe njëherë qytetarët dhe median që të denoncojnë çdo rast të paligjshmërisë duke ju garantuar reagim të menjëhershëm e profesional.