Reagim i Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan
Në lidhje me një postim të publikuar në portalin “JOQ”, ku paraqiten pretendime për një rast dhune të ndodhur në qytetin e Gramshit, sqarojmë se:
Më datë 02.09.2026, rreth orës 21:00, ka kallëzuar në Komisariatin e Policisë Gramsh shtetasi A. Ç., 40 vjeç, se rreth orës 20:00, shtetasi A. Ç., 44 vjeç, e kishte goditur me send të fortë (hekur), për motive të dobëta.
Menjëherë pas marrjes së kallëzimit, specialistët e Komisariatit të Policisë Gramsh kanë kryer veprimet hetimore dhe procedurale për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe sqarimin e rrethanave të saj.
Në vijim të veprimeve procedurale dhe pas komunikimit me prokuroren e gatshme, materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, ku nisi procedimi penal ndaj shtetasit A. Ç., 44 vjeç, për veprën penale “Plagosje e lehtë me dashje”, parashikuar nga neni 89 i Kodit Penal.
Policia vijon kryerjen e veprimeve të mëtejshme procedurale, në bashkëpunim dhe nën drejtimin e Prokurorisë, me qëllim dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Sa i përket pretendimeve të bëra publike lidhur me faktin se personi ndaj të cilit është bërë kallëzimi vijon të jetë i lirë, sqarojmë se nga ana e Policisë janë kryer veprimet procedurale të parashikuara nga ligji dhe materialet i janë referuar organit të Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan garanton se çdo kallëzim apo denoncim trajtohet me seriozitet, objektivitet dhe në përputhje me ligjin, me qëllim zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe dhe vendosjen përpara përgjegjësisë penale të çdo shtetasi që rezulton përgjegjës.
