Reagim i Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër

Reagim i Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër

Në lidhje me një lajm të publikuar në disa media dhe rrjete sociale, ku një shtetase pretendon se është dhunuar nga punonjësit e Komisariatit të Policisë Mat, ju informojmë se ;

Pretendimet e shtetases V.R., janë të pavërteta, pasi nuk është dhunuar nga asnjë efektiv Policie. Theksojmë se Policia e Matit, ka qenë në mbështetje të Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit, në Bashkinë Mat. Shtetasja V.R ka tentuar disa herë të pengojë punonjësit e IMT, të bashkisë Mat për të mos prishur murin, por në asnjë moment punonjësit e Policisë nuk kanë ushtruar dhunë ndaj kësaj shtetaseje, por i kanë dhënë ndihmë duke e çuar në Spital kur ka pretenduar se nuk ndihej mirë nga ana shëndetësore.

Po në lidhje me këtë rast, në përfundim të veprimeve, shërbimet e Policisë i kanë marrë deklarim shtetasit L.R., vëllait të shtetases V.R., i cili nuk ka shprehur asnjë pretendim ndaj veprimeve të Policisë.

Drejtoria Vendore e Policisë Dibër, e konsideron të rëndësishëm bashkëpunimin dhe transparencën me median dhe në këtë kuadër kërkon mirëkuptimin e medias që për çdo rast ku atakohet puna e Policisë, të kërkojnë sqarime në strukturën përgjegjëse për Komunikimin me Median e Publikun në DVP Dibër.