Raporti i ngjarjeve për 72 orët e fundit, Policia e Shtetit

Shkodër – Falë reagimit të shpejtë të Policisë, parandalohet një ngjarje e rëndë në familje. Arrestohet në flagrancë një 53-vjeçar, i cili ushtronte dhunë psikologjike dhe kërcënonte bashkëshorten me armë zjarri. Sekuestrohet në cilësinë e provës materiale një armë zjarri pistoletë. Nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponjat”, falë reagimit të shpejtë u arrestua në flagrancë shtetasi R. Sh., 53 vjeç, banues në lagjen “10 Korriku”, Shkodër. Ky shtetas, në banesë, ka ushtruar dhunë psikologjike dhe ka kërcënuar me armë zjarri pistoletë bashkëshorten. Policia pas njoftimit të marë, menjëherë ka shkuar në banesën e 53-vjeçarit dhe ka bërë neutralizimin e arrestimin e tij në flagrancë. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua një armë zjarri pistoletë me silenciator.

Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprat penale “Mbajtja pa leje e armëve dhe municionit”, “Kanosja” dhe “Dhuna në familje”. Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara në parandalimin, evidentimin dhe goditjen e rasteve të paligjshmërisë.

Gjatë 72 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 200 shtetas, konkretisht: 42 janë arrestuar, 11 janë ndalur dhe 147 po procedohen në gjendje të lirë.

Janë ndaluar 8 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim, për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 24 raste në të gjithë territorin, me 7 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 23 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër personit në gjithë territorin gjatë 72 orëve të fundit janë evidentuar 16 raste, konkretisht: 3 raste të “Kanosja”, 5 raste të “Plagosja e lehtë me dashje” dhe 8 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 8 raste të dhunës në familje në të gjithë territorin, me 3 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 7 autorë që po procedohen në gjendje të lirë, si edhe janë plotësuar 19 kërkesë-padi për urdhër mbrojtje të menjëhershme.

Në fushën e vjedhjes së pronës gjatë 72 orëve janë evidentuar 30 raste, 9 raste me 12autorë që po procedohen në gjendje të lirë dhe 21 raste, për të cilat po punohet për identfikimin dhe kapjen e autorëve.

Në fushën e ndërtimit oa lej janë evidentuar 13, me 13 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 shtetas që kanë kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme, të cilët po procedohen në gjendje të lirë.

Gjatë 72 orëve të fundit në territorin e Shqipërisë janë evidentuar 12 raste aksidentesh, me 3 viktima dhe 20  të lënduar jashtë rrezikut për jetën.

Janë evidentuar dhe arrestuar 13 shtetas që drejtonin automjetet nën efektin e alkoolit, në të gjithë territorin.

Janë evidentuar dhe proceduar 4 shtetas që drejtonin automjetet pa u pajisur me leje drejtimi.

 

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.