Raporti i ngjarjeve për 72 orët e fundit, Policia e Shtetit

OFL, 8 qershor – Vijon pa ndërprerë Operacioni Forca e Ligjit, në zbatim të detyrave të përcaktuara në Aktin Normativ të datës 31 janar 2020. Në kuadër të zbatimit të Ligjit Special për masat pasurore ndaj individëve të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar apo krime të rënda, OFL i ka nisur kërkesat me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë, shtetasve: A. H., banues në Tiranë, i dënuar për veprën penale “Vjedhja me dhunë”; K. Q., banues në Tiranë, i dënuar për veprën penale “Vjedhja me dhunë”; E. M., banues në Tiranë, i dënuar për veprën penale “Vjedhja me dhunë”; S. K., banues në Kavajë, i dënuar për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike” dhe D. M., banues në Tiranë, i dënuar për veprën penale “Vjedhja me dhunë”, e kryer në bashkëpunim. Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme. OFL është në veprim të pandërprerë dhe në kryerje të veprimeve komplekse për vendosjen e sekuestrove emergjente mbi pasuritë e dyshuara të përfituara nga krimi, si dhe për dërgimin e formularëve të vetëdeklarimit të gjithë personave që janë subjekt i Ligjit Special. OFL do të informojë publikun në vijimësi për të gjitha nismat procedurale dhe operacionet ekzekutive që do të kryejë.

Ndërkohë, gjatë 72 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 196 shtetas, nga këta: 59 janë të arrestuar, 9 janë ndaluar dhe 128 po procedohen në gjendje të lirë.

Janë ndaluar 6 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim, për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 8 raste, në të gjithë territorin, me 13 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 6 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër personit, në gjithë territorin, gjatë 72 orëve të fundit janë evidentuar 34 raste, konkretisht: 16 raste të “Kanosja”, 8 raste të “Plagosja e lehtë me dashje” dhe 8 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 1 rast i “Plagosja e rëndë me dashje”, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 3 autorë që po procedohen në gjendje të lirë; 1 rast i “Vrasja me dashje, mbetur në tentativë”, me 1 autor të arrestuar në flagrancë.

Janë evidentuar 11 raste të dhunës në familje, në të gjithë territorin, me 7 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 6 autorë që po procedohen në gjendje të lirë, si edhe janë plotësuar 19 kërkesë-padi për urdhër mbrojtje të menjëhershme.

Në fushën e vjedhjes së pronës gjatë 72 orëve janë evidentuar 40 raste, 15 raste me 8 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 11 autorë që po procedohen në gjendje të lirë dhe 25 raste, për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Në fushën e shkatërrimit të pronës janë evidentuar 8 raste, me 9 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të “Pushtim toke”, me 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e ndërtimit pa leje janë evidentuar 16 raste, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të armëmbajtjes pa leje dhe autorët janë arrestuar në flagrancë.

Janë evidentuar 2 raste të veprës penale “Mashtrimi”, me 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Janë proceduar 4 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.

Gjatë 72 orëve të fundit, në territorin e Shqipërisë, janë evidentuar 9 raste aksidentesh, me 1 viktimë dhe 11 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.

Janë evidentuar dhe proceduar 11 shtetas që drejtonin automjetet nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur.

Janë evidentuar dhe proceduar 5 shtetas që drejtonin automjetin pa u pajisur me leje drejtimi.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.