Raporti i ngjarjeve për 72 orët e fundit, Policia e Shtetit

Tiranë – Finalizohet operacioni policor “Investimi”, për identifikimin, gjurmimin dhe sekuestrimin e aseteve të përfituara nga veprimtaria kriminale. Vendosen sekuestro preventive ndaj pasurive të dy vëllezërve, të dy me rekorde të theksuara kriminale, pasuri që kapin vlerën e tregut rreth 3.700.000 euro. Nga Seksioni për Hetimin e Pastrimit të Parave dhe Aseteve Kriminale në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në kuadër të operacionit policor “Investimi”, për identifikimin dhe gjetjen e aseteve kriminale që rrjedhin nga veprimtaria kriminale, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, në funksion të procedimit penal të vitit 2019, pas provave të grumbulluara gjatë një hetimi njëvjeçar, u bë ekzekutimi i vendimit për vendosjen e sekuestros preventive ndaj pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme në ngarkim të shtetasve Sh. H. 43 vjeç dhe  E. H., 42 vjeç, banues në Tiranë (vëllezër). Shtetasi Sh. H. ka rekorde kriminale në shtetin e Belgjikës, ku ka kryer një vrasje para disa vitesh. Në vitin 2009 të dy vëllezërit Sh. H e E. H. dhe 4 shtetas të tjerë janë arrestuar nga Policia Gjyqësore Federale në Gent, Belgjikë, si pjesëtarë të një grupi kriminal, për veprat penale “Trafikimi i grave për prostitucion” dhe “Substancat narkotike”. Shtetasi E. H. ka rekorde kriminale në shtetin e Belgjikës, ku ka qenë i përfshirë në hetime nga Prokuroria e Gentit/Belgjikë në dosjen “GIRANA” të vitit 2008, për veprat penale “Trafikim i qenieve njerëzore me qëllim shfrytëzimi për prostitucion” dhe “Pjesëmarrje në organizatë kriminale”. Në këtë dosje shtetasi E. H. ka qenë i dyshuari kryesor dhe është arrestuar në Belgjikë, në datën 02.02.2009. Gjithashtu rezulton se nga viti 2002 deri në vitin 2009, ka qenë i burgosur në Belgjikë, për veprën penale “Trafikim dhe shfrytëzim i prostitucionit”. Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, në bazë të materialeve të dërguara nga Seksioni për Hetimin e Pastrimit të Parave dhe Aseteve Kriminale në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë bëri regjistrimin e procedimit penal në vitin 2019, për veprat penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose të veprimtarisë kriminale”. Pas një pune të mirorganizuar të strukturave të Policisë në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë të udhëhequra dhe të koordinuara me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, si dhe plan-operacionit “Investimi” u bë e mundur që të sekuestrohen asete dhe llogari bankare në shumën 3.700.000 euro, konkretisht: 4 apartamente në Tiranë, 2 apartamente në Sarandë,  1 ambient biznesi trekatësh në Laprakë; 1 njësi tregtare, 1 palestër, 7 garazhe dhe dy aktivitete biznesi në Tiranë; 4 automjete BMË X5 dhe llogari bankare në euro, usd dhe lekë dhe gjendjen aktuale në këto llogari  në tri banka të nivelit të dytë. Në funksion të planit operacional “Investimi”, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së parë Tiranë po punohet për të identifikuar/zbuluar asete (prona) të tjera që rrjedhin nga aktiviteti kriminal i këtyre shtetasve dhe familjarëve të tyre, të cilat mund t’i kenë në emër të personave të tjerë apo bashkëpunëtorëve në këtë aktivitet kriminal.

Korçë – Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Korçë, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve A. D., 60 vjeç dhe A. D., 23 vjeç, banues në fshatin Mborje, Korçë. Arrestimi i tyre u bë pasi, shtetasit e mësipërm janë konstatuar në fshatin Mborje, duke transportuar lëndë drusore pa leje, si edhe kanë kundërshtuar me dhunë gjatë ushtrimit të detyrës punonjësit e Inspektoriatit të Mbrojtjes së Mjedisit dhe Pyjeve Materialet i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, për veprat penale “Prerja e paligjshme e pyjeve”, “Kundërshtimi i punonjësit që kryen një detyrë shtetërore ose një shërbim publik” dhe “Goditjet për shkak të detyrës”.

Ndërkohë, gjatë 72 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 186 shtetas, nga këta: 27 janë të arrestuar, 5 janë ndaluar dhe 154 po procedohen në gjendje të lirë.

Janë ndaluar 4 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim, për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 5 raste, në të gjithë territorin, me 3 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 4 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër personit, në gjithë territorin, gjatë 72 orëve të fundit janë evidentuar 30 raste, konkretisht: 9 raste të “Kanosja”, 9 raste të “Plagosja e lehtë me dashje” dhe 10 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 2 raste të “Plagosja me dashje”, 1 në Berat, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 1 në Lezhë, me 2 autorë të arrestuar në flagrancë.

Janë evidentuar 10 raste të dhunës në familje, në të gjithë territorin, me 4 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 6 autorë që po procedohen në gjendje të lirë, si edhe janë plotësuar 15 kërkesë-padi për urdhër mbrojtje të menjëhershme.

Në fushën e vjedhjes së pronës gjatë 72 orëve janë evidentuar 16 raste, 5 raste me 3 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 6 autorë që po procedohen në gjendje të lirë dhe 11 raste, për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Në fushën e shkatërrimit të pronës janë evidentuar 3 raste, me 3 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e ndërtimit pa leje janë evidentuar 19 raste, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Gjatë 72 orëve të fundit, në territorin e Shqipërisë, janë evidentuar 9 raste aksidentesh, me 10 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.

Janë evidentuar dhe proceduar 3 shtetas që drejtonin automjetet nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur.

Janë evidentuar dhe proceduar 5 shtetas që drejtonin automjetin pa u pajisur me leje drejtimi.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.